Manipulimet e Testit të Maturës, paralajmërohen ndëshkime

Aktuale May 29, 2018 - 08:07
Lexoni më shumë detaje

Rreth 7700 maturantë të shkollave të mesme të Gjilanit dhe të Ferizajt të hënën i janë nënshtruar Testit të Maturës Shtetërore. Edhe ky Test u karakterizua me manipulime të ndryshme, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Këshilli i Maturës Shtetërore do t’i anulojë testet e maturës të atyre nxënësve që kanë publikuar fletëpërgjigjet në grupet e krijuara në rrjetet sociale.

Nga ky ndëshkim nuk do të shpëtojnë as administratorët, të cilët keqpërdorën detyrën e tyre zyrtare duke ua lejuar nxënësve posedimin e telefonave gjatë mbajtjes së provimit.

LEXO EDHE: Miliona euro për pagat dhe luksin e deputetëve

Kështu ka paralajmëruar në një prononcim për gazetën Zërikryetari i Këshillit Shtetëror të Maturës (KSHM) Fehmi Hysenaj.

“Për ata persona që kanë keqpërdorur detyrën do të merren masa ndaj tyre. Jemi duke i kompletuar të dhënat. Pra nxënësve, të cilët në grupet e mbyllura që kemi mundur t’i identifikojmë e që kanë vendosur aty fletëpërgjigje dhe teste do t’u anulohet testi. Atyre administratorëve që nuk kanë marrë masa për ndalim telefonash ose i kanë marrë telefonat i kanë vendosur në tavolinë do t’u publikohen emrat në uebfaqe dhe ata nuk do të jenë më asnjëherë pjesë e procesit monitorues”, ka deklaruar Hysenaj.

LEXO EDHE: Ja ku po i fshehin nxënësit telefonat për të kopjuar në Test të Maturës

Pavarësisht keqpërdorimeve të shumta të raportuara në rrjetet sociale, Hysenaj e vlerëson procesin e Testit të Maturës më mirë se atë të viteve të kaluara.

Telefonat i fshehën në këpucë

Për t’u ikur procedurave të kontrollimit për t’iu nënshtruar Provimit Shtetëror të Maturës nxënësit e shkollave të mesme kanë gjetur alternativë ku t’i mbanin telefonat e tyre për shkaqe sigurie.

Disa prej tyre gjatë komunikimeve në rrjete sociale propozonin që telefonat të vendosen në këpucë, pasi, siç shkruanin, nuk po kontrollohen.

Të tjerë rekomandonin që të pajisen me dy telefona, njërin ta dorëzojnë, ndërsa tjetrin t’u mbetet për kopjim.

Gazeta “Zëri” ka siguruar dëshmi të shumta të kopjimit të nxënësve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale për format e kopjimit, si dhe për ndihmën që kanë kërkuar me publikimin e fletëpërgjigjeve të shumta në numër.

Madje shumë prej nxënësve i bëjnë publike edhe lehtësitë që i kanë pasur gjatë kopjimit.

Për parregullsitë që shoqëruan Provimin Shtetëror të Maturës gazeta “Zëri” ia ka përcjellë pyetjet me shkrim Zyrës për Informim në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), por nuk ka marrë përgjigje.

I paqasshëm në telefon ka qenë edhe ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi.

Kurteshi: MASHT-i ka dështuar

Me organizimin e Testit të Maturës Shtetërore nuk është shprehur i kënaqur as kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Kurteshi e quan dështim organizimin e tillë derisa tregon se si anëtarë të Komisionit kanë marrë përsipër përgjegjësinë për ta monitoruar këtë proces.

“Ministria ka paralajmëruar se do t’i marrë të gjitha masat dhe nëse kjo çfarë është në mjetet e informimit është e saktë atëherë po shihet në fillim se Ministria ka dështuar. Sinqerisht, shpreh brengosjen  që nuk po arrijmë të organizojmë si duhet Testin e Maturës dhe ai është shndërruar në një akt të manipulimeve”, ka thënë Kurteshi.

Kritika pothuajse të ngjashme ka drejtuar edhe zëvendëskryetarja e këtij Komisioni nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu.

Haxhiu në një prononcim për “Zërin” tregon se ka pasur dilema për ndarjen e organizimit të testit me rajone të ndryshme.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Arsim thotë se e udhës do të ishte që organizimi i testit të bëhej online.

“Nuk kemi nevojë ta mashtrojmë vetveten, por është mirë të kemi rezultatin real që pastaj të merren masat e duhura që të përmirësojmë këtë. E mira kishte për të qenë të jetë testi online, por ende nuk jemi në atë fazë”.

Pupovci: Administratorët po e tolerojnë kopjimin

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, nuk përjashton mundësinë se në keqpërdorim po ndihmojnë edhe administratorët që tolerojnë futjen e telefonave celularë dhe kopjimin.

“Nuk e di cilat kanë qenë përmasat e keqpërdorimit të Provimit të Maturës këtë vit, por ky lloj keqpërdorimi ka të bëjë me lëshimet në administrimin e testit. Duket se ka vende ku administratorët tolerojnë futjen e telefonave celularë dhe kopjimin që pastaj ndikon te të gjithë maturantët, sepse testi përmes rrjeteve sociale shpërndahet, pa asnjë vonesë”, ka treguar në një përgjigje me shkrim për “Zërin” Pupovci.

Ai thotë se është e pakuptimtë që në vitin e dhjetë të zbatimit të Provimit të Maturës nuk po arrihet të ndërtohet një sistem i mirëfilltë i administrimit të tij, ku aplikohen masa të rrepta ndaj shkelësve dhe të atyre që tolerojnë shkeljen.

“Kjo gjendje ka ndikim negativ në motivimin e nxënësve dhe të mësimdhënësve për të punuar më shumë, sepse nëse secili e di se Provimi i Maturës mund të kalohet me kopjim, atëherë pse duhet punuar në mënyrë të ndershme për arritjen e suksesit”, ka shtuar eksperti i arsimit.

Ndryshe, gjatë monitorimit të Testit të Maturës Shtetërore në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj, ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, shpresoi që testi të ecë mbarë ashtu siç ka filluar.

Para dy vjetësh Kosova ishte renditur në vendin e 68-të në mesin e 70-të shteteve, të cilat i janë nënshtruar testimit të aftësive nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA).