Rakiq s’po e hap urën, dëshiron ta negociojë kufirin e Mitrovicës

Aktuale May 28, 2018 - 08:23
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Të parët e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe Faruk Mujka, kanë thënë se nuk do të ketë negocim për çështjen e kufirit të Mitrovicës sado që kryetari i Veriut të Mitrovicës Goran Rakiq po e shtyn qëllimisht hapjen e urës vetëm për ta negociuar edhe një herë çështjen e kufijve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse kanë përfunduar punët në revitalizimin e urës së Ibrit dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, kryetari i kësaj Komune Goran Rakiq i “ka gjetur” punë shtesë kompanisë ndërtimore.

Autoritetet komunale në veri ditëve të fundit po heqin një pjesë të rrugës së shtruar me gurë katrorë. E gjithë kjo për t’u dukur se punimet nuk kanë përfunduar.

Kjo nuk po u pëlqen as serbëve të veriut të Mitrovicës, të cilët mendojnë se këto punë janë duke u bërë për shpëlarje parash. Ata nuk e kuptojnë as idenë e autoriteteve komunale të veriut për hapjen e rrugës “Knjaz Mihajlo”, në të cilën është duke u punuar, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, shqiptarët e jugut edhe më tutje përdorin rrugë alternative për të kaluar në veri të Mitrovicës, ndonëse ura është e gatshme për qarkullim të veturave dhe të automjeteve.

LEXO EDHE: Komuna e Podujevës pagoi 61 mijë euro pa pranimin e inventarit

Kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri ka thënë se homologu i tij nga veriu qëllimisht është duke zvarritur hapjen e urës sepse dëshiron sërish të hapë dialog për definimin e kufirit të Mitrovicës.

“Sa u përket kufijve administrativë çdo gjë është e qartë dhe nuk do të ketë dialog rreth kësaj çështjeje. Nuk besoj që ka probleme politike për t’u hapur ura, nuk ka as probleme tjera, ndërsa sa i përket definimit të kufirit të Mitrovicës asnjë centimetër nuk mund ta marrë veriu. Absolut jo, sepse vendimmarrja e lartë në Prishtinë është pajtuar me mendimin tim dhe si e tillë ka përfunduar dialogu në mes të këtyre dy gjërave, urës dhe kufirit administrativ. Nuk dëshiroj as të ketë dialog në mes të këtyre dy çështjeve”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, thotë se autoritetet komunale në Mitrovicën Veriore po e mbajnë peng hapjen e urës me qëllim që të negociohen edhe një herë kufijtë administrativë.

“Po promovohet një finale e dialogut dhe Rakiqi shpreson ta mbajë peng çështjen e urës për çështje të kufijve administrativë. Kufijtë administrativë janë të përcaktuar edhe me Pakon e Ahtisaarit, por edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe dihet 4 fshatra në veri të Mitrovicës i takojnë Komunës Jugore”, ka thënë Mujka, duke shtuar se Komuna Jugore i ka kryer obligimet e veta me kohë.

Ai vlerëson se BE-ja duhet të jetë më kërkuese ndaj autoriteteve veriore dhe që të bëjë presion tek ata për ta zhbllokuar procesin.

Në Zyrën e BE-së në Prishtinë kanë thënë se punimet në urë dhe në atë pjesën veriore po hyjnë në fazën finale, duke besuar se punët do të përfundojnë shpejt.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka thënë se ka pasur ngritje dhe rënie gjatë zbatimit të projektit, por që tani punët janë në fund.

“Ura është projekti më i madh i BE-së në veri. Punët janë duke vazhduar, natyrisht ka qenë dashur kohë derisa kemi filluar me zbatimin e projektit. Mund të them se aktualisht kemi bashkëpunim të mirë me Komunën Veriore të Mitrovicës dhe me të vërtetë shpresoj se punët në urë do të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka pasur rënie dhe ngritje gjatë zbatimit të projektit, kjo ka pasur të bëjë me brengat e Komunës Veriore me incidentet ndëretnike që kanë ndodhur në urë. Megjithatë, ura është simboli më i rëndësishëm i dialogut”, ka thënë Apostollova.

Ajo tha se nuk mund të flasë për një datë kur do të zhvillohet ceremonia e hapjes së urës për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, por ka sugjeruar që ura të hapet pa u shtyrë më tutje.