S’ka mocion për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale May 28, 2018 - 07:51
Lexoni më shumë detaje

Megjithëse tash e disa muaj po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, LDK-ja e Vetëvendosja nuk do të iniciojnë mocion për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Dy subjektet e mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk planifikojnë të iniciojnë ngritjen e një mocioni për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, pavarësisht se tash e disa muaj po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në LDK thonë se në tryezat e partive duhet të arrihet pajtimi që të caktohet data e zgjedhjeve pasi ndërkohë të jenë kryer disa çështje tjera me rëndësi nacionale për Kosovën.

Kurse në Vetëvendosje thonë se kjo parti nuk mundet e vetme ta rrëzojë Qeverinë, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës thonë se kërkesat për zgjedhje nuk janë të sinqerta dhe as serioze.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike në vend thonë se aktualisht opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë dhe se nuk do të ketë mocion pa u siguruar votat e nevojshme.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për Zërin se ideja e kësaj partie ka qenë që në tryezat e partive të arrihet pajtimi për disa tema të rëndësishme, duke përfshirë edhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

“Ideja ka qenë që të pajtohemi për një datë të caktuar për zgjedhje, përderisa të trajtohen edhe disa çështje tjera. Të shohim se a po vazhdojnë ende këto tryeza dhe nëse do të ketë pajtim”, ka deklaruar Veliu.

Më tej ai ka thënë se Kryesia e LDK-së para tryezës është pajtuar për këtë qëndrim, ndërsa vlerëson se duhet të vazhdohen tryezat e tilla. Megjithatë, ai ka thënë se ende nuk kanë një qëndrim për ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

“Tryezat duhet të vazhdojnë edhe pse mund të mos japin rezultate shpejt, por është çështje që partitë duhet të bisedojnë për disa tema të rëndësishme, për hapat e mëtutjeshëm si mocioni, të shohim në të ardhmen”, ka shtuar Rugova.

As Lëvizja Vetëvendosje aktualisht nuk është duke planifikuar të iniciojë mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë.

Nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se tashmë i vetmi subjekt opozitar është Lëvizja Vetëvendosje, pasi partitë tjera nuk po shprehen pro shkuarjes në zgjedhje.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes ka thënë se zgjedhjet nuk janë çështje dëshire, porse janë obligim në situatën kur koalicioni qeverisës nuk i ka votat e nevojshme për funksionim normal të institucioneve.

Megjithatë, ajo ka thënë se Vetëvendosja nuk mundet si e vetme ta rrëzojë Qeverinë.

“Faktikisht kjo Qeveri tashmë nuk është në gjendje që të marrë asnjë vendim, e ka shpenzuar tërë kohën e vet që të mbetet në pushtet. Nuk mund të miratojë as ligjet e thjeshta në Kuvend. Çështja është se ne si LVV nuk kemi momentalisht mundësi që ta rrëzojmë Qeverinë sepse sigurisht që nevojitet të bashkohet spektri opozitar”, është shprehur Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo ka thënë se nëse partitë tjera e kanë seriozisht kërkesën për zgjedhje duhet të veprojnë dhe në një të ardhme të afërt të kërkohet edhe mocion mosbesimi ndaj kësaj Qeverie.

“Ajo çka ne mendojmë është se kjo Qeveri nuk e ka gjatë”, ka shtuar deputetja e Vetëvendosjes.

Koalicioni thotë se kërkesat për zgjedhje nuk janë serioze

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se LDK-ja dhe Vetëvendosja përballen me probleme të brendshme dhe se kërkesat e tyre për zgjedhje nuk janë serioze.

“Besoj se deklaratat për zgjedhje dy partitë i kanë për çështje të brendshme të tyre dhe nuk kanë të bëjnë realisht me angazhim serioz për votëbesimin e Qeverisë. Të dyja partitë kanë telashe të brendshme dhe po mundohen që ato telashe t’i bartin te partitë tjera. Vetëvendosjes i është ndarë pothuajse gjysma e partisë dhe është në krizë, ndërsa LDK-ja është në krizë të liderit”, ka deklaruar Reçica.

Më tej ai ka thënë se edhe po të ngitet mocioni për rrëzimin e Qeverisë, ai do të dështojë pasi opozita nuk i ka votat e nevojshme.

“Absolutisht nuk janë votat për rrëzimin e Qeverisë dhe asnjëra prej tyre nuk e ka seriozisht kërkesën për rrëzimin e saj”, ka shtuar Reçica.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë.

“Natyrisht se nuk i kanë votat, por nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e votave, por në fakt është e sigurt 100% se nuk janë të interesuar për zgjedhje. Çdo ditë takohemi me deputetë të këtyre partive dhe nuk janë të interesuar për zgjedhje”, ka potencuar Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se është e kuptueshme që opozita të kërkojë zgjedhje, madje ka thënë se të njëjtën gjë e ka bërë edhe partia e saj në të kaluarën sa ka qenë në opozitë.

“Është e kuptueshme janë opozitë dhe të njëjtën gjë e kemi bërë edhe ne. E arsyetoj kërkesën e tyre, por e dinë edhe vetë se nuk është e sinqertë sepse nuk është interes as i partive të tyre, nuk janë të gatshëm për zgjedhje. E kanë çështje ditore”, ka shtuar Haxhiu duke thënë se qeveria “Haradinaj” ende nuk i ka bërë një vit dhe se asnjë qeveri deri më tani nuk ka rënë pa i kaluar të paktën dy vjet.   

Demhasaj: Nuk ka mocion pa u siguruar votat për rrëzimin e Qeverisë

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për “Zërin” se e vetmja mënyrë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është mocioni i votëbesimit.

Megjithatë sipas tij, fakti që opozita po kërkon që data e zgjedhjeve të caktohet në tryezë dëshmon se ato nuk i kanë votat për rrëzimin e Qeverisë.

 “Fakti që partitë politike synojnë që në zgjedhje të shkohet me pajtim e jo përmes mocionit lë të kuptohet se opozita nuk ka vota për shkarkimin e Qeverisë”, ka deklaruar Demhasaj.

Më tej ai ka thënë se nuk pret që në një të ardhme të afërt të ngrihet ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Në të ardhmen e afërt nuk pres që të ketë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë. Asnjëherë në historinë parlamentare të Kosovës nuk ka ndodhur që të ngrihet një mocion dhe ai të dështojë, pasi paraprakisht janë siguruar votat dhe më pas është ngritur mocioni”, ka shtuar Demhasaj.  

Sipas tij, partitë duhet të arrijnë konsensus për disa çështje të rëndësisë nacionale në mënyrë që të kenë një reagim të koordinuar dhe vetëm pasi të kryhen këto çështje madhore atëherë ndoshta është e udhës që të shkohet në zgjedhje.

Në fund ai ka theksuar faktin se zgjedhjet mund të jenë të dëmshme për disa procese si liberalizimi i vizave, pasi mund të shtyhej vendimi për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën nga institucionet e Bashkimit Evropian.