Kaq gjoba shqiptoi Policia në mungesë të ulëseve për fëmijë

Aktuale May 27, 2018 - 21:49
Mësojeni se sa është numri i gjobave

Aksidentet mbesin një nga vendet ku shumë qytetarë të Kosovës humbin jetën.

Por me ligjin e ri për komunikacion, vozitësit duhet të kenë në automjete edhe karriget për fëmijë.

Madje nga janari e deri në prill, për mungesë të karrigeve për fëmijë në automjete, janë shqiptuar 176 gjoba.

Prej janarit të këtij viti, kur dhe nisi zbatimi i ligjit të ri të trafikun rrugor për kundravajtje, është rritur ndjeshëm vetëdijesimi për pajisjen me ulëse përkatëse për fëmijë në automjete.

Këtë e thonë zyrtarë policorë, por dhe pronarë të dyqaneve që shesin produkte të tilla. Shitja e këtyre karrigeve është dyfishuar në disa nga dyqanet e kryeqytetit.

Në bazë të ligjit për rregullat e trafikut rrugor, fëmijët nën moshën 12-vjeçare duhet të jenë të siguruar me ulëse të sigurisë për fëmijë.

Në rast se shoferi i mjetit nuk ka ulëse të sigurisë për fëmijë, dënohet për kundërvajtje me gjobë 100 deri 300 euro.

Nga janari deri në prill të këtij viti janë shqiptuar gjithsej 118 mijë e 743 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, për mosvendosje të rripit të sigurisë janë shqiptuar 15 mijë e 897 gjoba, ndërsa për ulëse të sigurisë për fëmijë janë shqiptuar 176 gjoba nga të cilat 32 gjoba ka shqiptuar policia e rajonit të Prishtinës.

Sipas policisë, mungesa e karriges speciale për fëmijë dhe mosvendosja e rripit të sigurisë, mund të jetë fatale për ta./rtk/