Daçiq: Shqiptarët e pranojnë ndarjen e Kosovës

Aktuale May 27, 2018 - 20:06
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, po pretendon se ndarja e Kosovës ka qenë një zgjidhje e pranueshme për palën kosovare, mirëpo me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, kjo ide nuk mund të realizohej.

“Vazhdoj të them, për shembull, se shqiptarët, pa këshilltarët dhe drejtuesit e tyre, pranojnë që ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë edhe për ata. Madje disa liderë shqiptarë këtë ma kanë thënë hapur”, u shpreh Daçiq.

Madje sipas tij, kjo ide paraqiste edhe zgjidhjen më të mirë për krerët shtetërorë të Kosovës.

LEXO EDHE: Vuçiq: Jemi të gatshëm të bëjmë lëshime dhe kompromis për zgjidhjen me Kosovën

“Më duhet ta pranoj se Vuçiq ka marrë një barrë të rëndë mbi vete për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nuk është e lehtë që të bindet një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare që të rishikohen gabimet e tyre. Shumë nga perëndimi nuk duan të pranojnë asgjë tjetër pos përmbushjes së kërkesave të palës tjetër. Mirëpo kështu nuk funksionon. Shqiptarët të gjitha, e serbët asgjë. Çfarë kuptimi do të kishin negociatat atëherë”, shtoi Daçiq.

Daçiq u ankua edhe për mënyrën e negocimit nga pala kosovare, duke thënë se është e vështirë të dialogohet me ta.

“Është e vështirë të negociohet me Pacollin, Thaçin dhe Haradinajn. Madje e patë që gjatë argumenteve tona në Këshillin e Sigurimit, Vlora Çitaku përmendte Milosheviqin. Mjaftë, ai është i vdekur tashmë, të zgjidhim problemet. Ata nuk kanë përmbushur asnjë nga marrëveshjet e Brukselit, mirëpo shihet qartë se munden, ngase askush nuk po u bën presion atyre”, përfundoi Daçiq, transmeton Lajmi.net.

Ndryshe, Daçiq qe një kohë të gjatë është në fushatë kundër rritjes së numrit të shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, numër ky që ai thotë se do të bije nën 100.