Kishës Ortodokse serbe i pengojnë punimet në rrugën Deçan-Plavë

Aktuale May 26, 2018 - 19:58
Lexo detajet

Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të jetë aktive në lobimin kundër Kosovës. Një gjë të tillë e ka bërë edhe sot ku Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe ka reaguar lidhur me fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës magjistrale që lidh Kosovën me Malin e Zi, nga Deçani deri në Plavë.

Kjo Dioqezë i ka njoftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, OSBE dhe KFOR-it se Qeveria e Kosovës i ka filluar “jashtëligjshëm” punimet në rrugën magjistrale Deçan-Plavë dhe në zonën e mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit, shkruan lajmi.net.

Në njoftimin e kësaj Dioqeze, thuhet se ndërtimi i këtyre rrugëve në zonën e mbrojtur është e ndaluar rreptësisht me Ligjin për Zonat Speciale të Mbrojtura që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

“Shkelja e këtij ligji, megjithë refuzimin e regjistrimit të tokës deçanase sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që para dy vjetësh, paraqet edhe një shembull flagrant të paligjshmërisë që e implementojnë institucionet e Kosovës”, thekson Dioqeza Rashkë-Prizren.

Sipas tyre, zonën e mbrojtur sot e kanë vizituar edhe përfaqësuesit e OSBE-së të ekipit monitorues dhe kanë evidentuar shkeljet që ekskavatorët po i sjellin ambientit që përveç se është zonë e mbrojtur është edhe hapësirë që i takon Parkut Kombëtare të Bjeshkëve të Nemuna.

Ata tonë se për rrugën Deçan-Plavë disa herë është diskutuar në mbledhjet e Komisionit për mbrojtjen e zonës të cilin e përbëjnë përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë, Misioni i OSBE-së, ministrat kosovarë të Ambientit dhe të Kulturës, si dhe përfaqësuesi i Dioqezës.

“Dioqeza Rashkë-Prizren në vazhdimësi thekson se kisha nuk është kundër ndërtimit të rrugëve, por se ndërtimi i rrugës magjistrale në afërsi të objektit i cili është i mbrojtur nga UNESCO paraqet shkelje të ligjit ekzistues, por edhe do t’i sjellë dëm të madh Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.

Tutje aty thuhet se rritja e komunikacionit, lëvizja e mjeteve të rënda, zhurma dhe tollovia e krijuar rreth manastirit do të sjellë dëm të pariparueshëm.

Më 24 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim më komunën e Deçanit kanë mbajtur ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e Rrugës Deçan – Plavë.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Deçanit kanë thënë se ndërtimi i kësaj rrugë absolutisht nuk e prek zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Bashkim Ramosaj, kryetar i komunës, ka bërë të ditur se sot gjatë gjithë ditës së bashku me përfaqësues të KFOR-it ka qenë prezentë në vendin e ngjarjes.

Kryetari i Deçanit ka thënë se janë larguar disa gurë të cilët kanë qenë rrezik për qytetarët që kanë kaluar andej.

“Jo, realisht nuk është ndërhyrë në zonën e mbrojtur, për shkak se vetëm janë larguar disa gurë nga brezi i rrugës dhe nuk kam informacione të tjera. Punëkryesi ka hequr vetëm disa brixhe që kanë qenë me rrëshqitje të dheut për shkak me kalu me kamion dhe automjetet më lirë, pasi ka qenë rrezik edhe për qytetarët nga rrëshqitjet e gurëve. Vetëm ajo është bërë”, ka thënë Ramosaj.

VIDEO E PUBLIKUAR NGA SAVA JANJIC NGA MANASTIRI I DECANIT