'Kosovës po i ikën rinia, pasuria më e madhe që ka'

Aktuale May 26, 2018 - 19:13
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Numri i kosovarëve të cilët po heqin dorë nga shtetësia po shënon rritje nga viti në vit, shkruan "Zëri". 

Shqetësues është se numri më i madh i personave që heqin dorë nga shtetësia kosovare, janë kryesisht të rinj, nga mosha 18 deri në 34-vjeçar.

Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimin kjo dukuri është mjaft trishtuese.  

Selimi thotë se gjendja e rënë ekonomike i ka detyruar kosovarët të heqin dorë nga diçka për të cilën kanë qenë në gjendje të japin edhe jetën.

“Është shumë trishtuese kur mendon se njerëzit që kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë e shumë prej tyre edhe të vdesin për këtë vend e lënë Kosovën dhe heqin dorë nga ajo. Pra kemi ardhur në situatë kur njerëzit po heqin dorë nga ajo për të cilën kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë dhe të vdesin. Jo tashmë për fajin e tyre, por për fajin e atyre që duhet t’ua bëjnë jetën më të mirë dhe më të lehtë në Kosovë dhe për shkak të politikave të shteteve përkatëse, të cilat nuk lejojnë dyshtetësi”, shprehet Selimi për "Zërin". 

Ai thotë se për këtë nuk duhet fajësuar botën për ligjet e tyre, por shteti duhet ta ndërtojë jetën e qytetarëve të vet, në mënyrë që shtetësia e Kosovës të jetë privilegj e jo barrë për qytetarët.

Humbja e perspektivës së rinisë për të gjetur një punë, për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme, sipas tij, rezulton me ikjen dhe braktisjen e Kosovës. Ai thotë se Kosovës  po i ikën rinia, e cila është pasuria më e madhe që e ka.

“Po na ikën më e çmueshmja rinia dhe kur ikën rinia nga një vend ikën e ardhmja dhe shpresa. Të gjitha këto po t’i bëjmë bashkë duhet të jetë diçka shumë serioze, sidomos për udhëheqësit e vendit që këtë rini ta ndalin, madje ka pasur raste kur kanë stimuluar ikjen e të rinjve nga Kosova dhe jorrallëherë e kemi parë që nuk e kanë penguar edhe ikjen e organizuar nga Kosova, siç ka ndodhur rasti dy herë me shtegtimin në Hungari”, pohon deputeti Selimi. /Zëri/