Veteranët: Shpresat e fundit i kemi te Prokuroria

Aktuale May 26, 2018 - 17:07
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Prokuroria e Shtetit duket të ketë mbetur e vetmja shpresë për veteranët që pretendojnë se kanë luftuar vërtet gjatë luftës në Kosovë për të mos njollosur sakrificën e tyre, shkruan "Zëri". 

Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Xhevdet Qeriqi, që thotë se ka luftuar gjatë luftës në Kosovë, e quan padrejtësi rritjen e këtij numri, pasi sipas tij numri i vërtetë i veteranëve mund të zbulohet përmes arkivave.

“Gjithmonë kemi reaguar dhe vazhdojmë të jemi kritikë se është rritur numri shumë, por është e pamundur të ndalet. Është Komisioni Qeveritar që merret me këtë çështje, aty po vonojnë. Neve si luftëtarë na është bërë padrejtësi, sepse ekzistojnë arkivat për të dëshmuar sa ka qenë numri i veteranëve të luftës, edhe me këtë proces dhe këtë Komision Qeveritar lirisht mund të them se është dyfishuar numri”, është shprehur Qeriqi për "Zërin". 

Qeriqi thotë se shpresat e fundit i kanë te Prokuroria e Shtetit, që ka filluar të hetojë përfituesit e rremë të kësaj skeme.

“Tash së fundi me këtë numër janë duke u marrë hetuesit e Prokurorisë. Unë kam qenë në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues për të ofruar mundësi që të zbulohen këta njerëz, që padrejtësisht janë në listat e përfituesve. Shpresat e fundit i kemi te Prokuroria”, ka shtuar më tutje ish kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së.

Njësoj sikur Qeriqi, edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve Hysni Gucati shpresat i mban te Prokuroria e Shtetit.

Në një prononcim për “Zërin” Gucati ka thënë se nuk po dihet çka aktualisht po veprohet brenda Komisionit për Verifikimin e Veteranëve.

“Nuk po e dimë se çfarë po bëhet brenda. Kemi pasur takime edhe me Kryesinë, edhe me këshillin drejtues, me të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe të këshillit drejtues sapo përfundova mbledhjen, janë të shqetësuar me numrin e veteranëve që po vjen duke u rritur. Nuk e dimë ku është arsyeja. Problemi nuk qëndron tek organizata, organizata nuk është pjesë e Komisionit. Këto probleme janë edhe në vende më të zhvilluara, si në Kroaci, ky problem zgjidhet, duhet të ulet edhe një herë Komisioni bashkë me komandantin Agim Çekun dhe vartësit e tij dhe të përmbyllet një herë e përgjithmonë kjo çështje. Shpresat do t’i kemi gjithmonë në Prokurori”, ka theksuar i pari i veteranëve. /Zëri/