Veseli: Integrimi në BE varet nga të kuptuarit e traditave religjioze

Aktuale May 26, 2018 - 16:35
Lexo detajet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ishte pjesë në ceremoninë e lutjeve të mëngjesit në Tiranë.

Veseli thotë se si në të kaluarën, edhe sot, traditat religjioze janë burim i frymëzimit për paqen, tolerancën, mirëkuptimin, fqinjësinë e mirë dhe bashkëjetesën mes njerëzve dhe popujve.

Shkrimi i plotë:

Në ceremoninë e lutjeve të mëngjesit në Tiranë, me shumë të ftuar e miq nga e gjithë bota, ndamë së bashku përvojat tona më të mira në shërbim të paqes, mirëkuptimit e respektit mes njerëzve e shoqërive tona.

Si në të kaluarën, edhe sot, traditat tona religjioze janë burim i frymëzimit për paqen, tolerancën, mirëkuptimin, fqinjësinë e mirë dhe bashkëjetesën mes njerëzve dhe popujve. Porositë morale të librave të shenjtë shprehin vlerat themelore të shoqërive të lira.

Si të tilla, ato janë pasuri shpirtërore, të cilën duhet ta ruajmë, ta kultivojmë, së bashku dhe përtej dallimeve tona e problemeve të së kaluarës. E ardhmja demokratike e rajonit tonë, integrimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian, varen nga të kuptuarit dhe përvetësimi i kësaj të vërtete të madhe.