Tryeza e LVV-së, pa konsensus për zgjedhje të parakohshme

Aktuale May 26, 2018 - 08:56
Mësoni më shumë shumë detaje

Ndonëse Lëvizja Vetëvendosje kishte thirrur tryezën për t’u dakorduar me partitë politike për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare, një dakordim i tillë nuk ka ndodhur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nikoqiri i tryezës “Zgjedhjet janë zgjidhje”, Albin Kurti, kërkoi nga partitë që të bëhen bashkë për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”.

Por atë e kanë kundërshtuar partitë në pushtet, duke thënë se rrëzimi i Qeverisë bëhet në Kuvend e jo në tryeza të tilla.

PDK-ja, AAK-ja e Nisma Socialdemokrate i kërkuan opozitës që t’i bëjë 61 vota për mocionin e mosbesimit e të mos ftojnë më tryeza me tema të tilla.

Në anën tjetër, LVV-ja mori vetëm përkrahjen e LDK-së, e cila tash e disa muaj po kërkon zgjedhje të parakohshme, shkruan më tutje "Zëri".

Kurti: Qeveria duhet të bjerë, Haradinaj ushtrues detyre

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tryezën e organizuar nga ky subjekt politik e nisi me 16 arsyet pse Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, si nikoqir i tryezës me temën “Zgjidhja janë zgjedhjet”, e nisi duke thënë se ka përpjekje që në tryeza të tilla të diskutohet për tema që i takojnë Kuvendit e kjo sipas tij është e papranueshme.

LEXO EDHE: Lista esenciale e barnave, pa shumë barna të rëndësishme

Ai ka thënë se në këto tryeza duhet diskutuar për zgjedhjet, pasi vendi nuk mund të qeveriset nga pakica.

Kurti më tutje tha se Qeveria ka humbur shumicën në Kuvend dhe se Kuvendi është bërë pothuajse jofunksional.

Ai ka përmendur disa veprime “të dëmshme”, që sipas tij ka bërë qeveria “Haradinaj” e që janë mashtrimi me vizat, ratifikimi i Demarkacionit, nisja e statutit për Asociacionin në kundërshtim me ligjet e Kosovës, falja e borxheve kompanive, falimentimin e postës etj. Kurti ka thënë se Haradinaj është kryeministër i marrë me qira nga Hashim Thaçi.

Ai tha se Haradinaj ashtu siç e ka miratuar Demarkacionin, të cilin e kundërshtonte, do ta bëjë edhe “Zajednicën”.

“Ai nuk është kryeministër, është ushtrues detyre i kryeministrit dhe si i tillë duhet të japë dorëheqje. Haradinaj për karrige është i gatshëm edhe ta formojë Asociacionin”.

Kurti ka thënë se nëse Haradinaj nuk jep dorëheqje duhet ta testojë besimin në Kuvend. E nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, së bashku me partitë e tjera do të nisin mocion mosbesimi.

Pozita deklarohet e gatshme për zgjedhje, kërkon nga opozita nëse i ka 61 vota ta rrëzojë Qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij është kundër mbajtjes së zgjedhjeve, por që janë të gatshëm për zgjedhje.

Krasniqi në tryezën e LVV-së me partitë politike ka thënë se kjo nuk ishte tema për të cilën janë dakorduar në tryezat e kaluara, por sipas tij kjo tryezë është një shfryrje e LVV-së ndaj Qeverisë.

“Ai tha se PDK-ja është kundër zgjedhjeve, por janë të gatshëm për zgjedhje, andaj ka ftuar opozitën që nëse i ka votat ta ngrejë mocionin.

“Kuvendi i Kosovës në 2018-ën ka pasur seanca dhe orë pune më shumë sesa cilindo vit më herët. Këto tryeza janë menduar të jenë lehtësuese për punën e Kuvendit dhe besoj kemi treguar vullnet të mirë. Ju sot keni thirrur tryezë për të organizuar zgjedhje. Kuvendi vendos për zgjedhje dhe jo këto tryeza. Nëse ka një iniciativë serioze, e cila e dimë që sot për sot nuk ekziston. Në jemi kundër zgjedhjeve, por jemi gati për zgjedhje. Për 45 ditë urdhëroni ngriheni mocionin”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Blerim Kuçi, nga AAK-ja, tha se nuk ka kuptim të kërkohen zgjedhjet e parakohshme, pasi që tryezat e kaluara kanë prodhuar rezultate që nuk mund të lihen anash.

“Edhe në takimin e parë kemi folur se nuk ka kuptim të kërkohen zgjedhjet e parakohshme. Kur opozita i ka votat duhet kjo çështje në Kuvend, i keni 61 vota dhe bie kjo Qeveri. Kjo temë e zëvendëson Kuvendin. Kjo tryezë i anashkalon dakordimet që i kemi pasur në të dy tryezat. Nuk është kjo temë që kërkon konsensus nacional, reforma zgjedhore po ose temat tjera po, por jo rrëzimi i Qeverisë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Kurse Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate, tha se opozita nuk ka numrat për të rrëzuar Qeverinë, prandaj siç tha ai kjo është hera e fundit që kjo parti merr pjesë në tryeza që bëjnë thirrje për zgjedhje.

“Opozita nuk i ka numrat për të rrëzuar Qeverinë. Kjo do të jetë hera e fundit që Nisma merr pjesë për herë të fundit në tryeza për temën e zgjedhjeve. Nuk është gjenerozitet i mazhorancës të thërrasë tryeza kur nuk i ka votat, gjenerozitet është kurdo që t’i keni votat të rrëzoni Qeverinë”, tha ai.

Veliu: Vendi në krizë, zgjidhje janë zgjedhjet

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së Agim Veliu në tryezën e organizuar nga LVV-ja tha se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar asgjë dhe se konsiderojnë që vendi është në krizë e që për këtë gjendje zgjidhje janë zgjedhjet e lira.

“Po shoh që kjo tryezë do të përdoret në një drejtim tjetër që nuk kisha pasur dëshirë, edhe pse qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar për asgjë. Ne konsiderojmë që vendi është në krizë dhe mendojmë që zgjidhja për këtë gjendje janë zgjedhjet e lira, por duke pasur parasysh që vendi po kalon në procese të rëndësishme, ne si LDK kemi dashur që t’i japim përparësi arritjes së një konsensusi të subjekteve politike, por në vazhdimin e këtyre tryezave është mirë të arrihet se kur do të jetë data e zgjedhjeve që t’i mbështesim disa çështje të rëndësishme që janë me interes për të gjithë Kosovën”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të dialogut në këtë tryezë Vetëvendosja ua ka shpërndarë përfaqësuesve të partive politike një deklaratë me përfundimet e tryezës, ku thuhej se partitë janë dakorduar për zgjedhje parlamentare.