Lista esenciale e barnave, pa shumë barna të rëndësishme

Aktuale May 26, 2018 - 08:38
Lexoni më shumë detaje

Mungesa e disa produkteve medicionale në listën esenciale të barnave po rëndon gjendjen ekonomike të pacientëve, të cilët po kërkojnë trajtim në institucionet publike shëndetësore në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë nuk ka futur në listë të barnave esenciale as disa nga barnat që u nevojiten personave me aftësi të kufizuara, mossigurimi i të cilave thuhet se do ta vështirësojë shëndetin e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”-it, ka treguar për Zërinse personat me aftësi të kufizuara për çdo shërbim shëndetësor duhet të paguajnë vetë.

Sipas tij, as pajisjet dhe as produktet medicionale atyre nuk ua siguron Ministria e Shëndetësisë e kjo gjë, siç ka thënë, po vështirëson gjendjen ekonomike të tyre.

LEXO EDHE: Mbi 42 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia

“Çdo shërbim duke filluar nga rehabilitimi, pajisjet, produktet medicionale, barnat, pra ato që përdoren çdo vit, një herë në vit apo një herë në gjashtë muaj, të gjitha janë të detyruar t’i blejnë. Sa i përket një grupi të madh të personave me aftësi të kufizuara, ka filluar të zbatohet Ligji për Statusin e të Drejtave të Personave me Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, që nënkupton një shumë financiare të cilën e marrin këta persona e me këtë shumë e mbulojnë deri diku atë zbrazëti të këtyre pajisjeve. Por prapë kjo nuk mjafton, sepse nuk munden t’i përballojnë të gjitha edhe me atë shumë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se si pasojë e mosmarrjes së shërbimeve adekuate shëndetësore rrezikohet edhe jeta e tyre.

“Në Kosovë shërbimet shëndetësore nuk janë cilësore, nuk ofrohen si duhen, nuk ofrohen aty ku duhet dhe çdoherë kur duhet. Këtë e dinë të gjithë se nëse një person edhe prej gripit sëmuret ai është i detyruar t’i blejë antibiotikët ose barnat. Kur e llogarisim që personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë çdo ditë për këto barna, atëherë e vështirëson tejet mase jetën e tyre dhe gjendjen ekonomike të familjeve edhe pavarësisht kësaj që llogariten se janë  familje të varfra”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto barna asnjëherë nuk u janë ndarë nga Ministria apo Qeveria. E për këtë personat me aftësi të veçanta kanë bërë edhe kërkesë.

“Ne kemi bërë kërkesë. Në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë është i përcaktuar edhe rehabilitimi i këtyre personave, i cili duhet të ofrohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe prej Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por për këtë çështje duhet të nxirret një udhëzim administrativ dhe ai ta rregullojë se si duhet të shkojë procedura e rehabilitimit. Ne kemi bërë kërkesë në MSH për nxjerrjen e këtij udhëzimi, por ende s’kemi marrë përgjigje”, ka theksuar ai.

Kërkohet shtimi i më shumë barnave në listën esenciale

Maliqi ka deklaruar se personave me aftësi të kufizuara do të duhet t’u sigurohen barnat, pasi që mossigurimi i tyre do të vështirësojë edhe më shumë gjendjen e tyre.

“Duhet të realizohet se përndryshe e vështirëson edhe më shumë jetesën e personave me aftësi të kufizuara të të gjitha grupeve. P.sh. është një aksident, një person e thyen këmbën ose dorën, ai e ka një rehabilitim dy javë apo tri javë dhe mund të rikuperohet. Mirëpo personat që mbesin në gjendje të aftësisë së kufizuar të përhershme e kanë të nevojshëm rehabilitimin çdo vit, jo vetëm një herë. Do të thotë nëse atyre nuk u ofrohet rehabilitimi, atyre u vështirësohet gjendja edhe më shumë”, ka thënë ai.

Edhe Avokati i Popullit përmes një raporti të publikuar ka shprehur shqetësimin se medikamentet dhe materialet higjienike për personat me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në listat esenciale.

Avokati i Popullit ka rekomanduar që Ministria e Shëndetësisë duhet t’i përditësojë listat ku përfshihen barnat esenciale, t‘i plotësojë ato edhe në përputhje me medikamentet e

nevojshme, si dhe materialet e tjera duke përfshirë edhe ato higjienike, të cilat janë jetike për personat me aftësi të kufizuara.

Me problemin e mosofrimit të disa barnave nga MSH-ja po përballen edhe pacientë të tjerë, të cilët kërkojnë trajtim në spitalet në Kosovë.

Mungesa e disa produkteve medicionale në listën esenciale të barnave e të cilat u nevojiten shumë pacientëve i shtynë këta të fundit t’i blejnë ato vetë.

Disa pacientë të shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë kanë thënë për “Zërin” se blerja e shumë barnave nga ata po e rëndon gjendjen e tyre ekonomike, andaj edhe kanë kërkuar që këto barna të fillojnë të ofrohen falas në spitale.

MSH: Jemi duke krijuar listën e re të barnave esenciale

Mjekët e klinikave të QKUK-së kanë bërë kërkesa për disa barna, të cilat duhet të futen në listën esenciale të barnave.

Edhe pse ka mungesa të disa barnave, të cilat aktualisht janë në listë esenciale, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se janë duke krijuar listën e re të barnave esenciale sipas nevojave të institucioneve shëndetësore.

“Në Kosovë janë regjistruar produkte të reja farmaceutike, si dhe është e kuptueshme që në mjekësi në kuadër të protokolleve të reja të mjekimit në qarkullim futen terapi të reja për sëmundje të ndryshme, andaj përditësimi i listës esenciale të barnave do t’i minimizojë mungesat në furnizim me barna në institucionet shëndetësore publike”, kanë deklaruar zyrtarët për Informim në këtë ministri.

Kadrijaj: Të shtohet numri i barnave për të cilat pacientët kanë nevojë

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi Time Kadrijaj ka thënë për “Zërin” se duhet të porositen barnat të cilat janë me nevoja emergjente.

“Janë duke punuar në revidim të disa barnave, të cilat bëhen në bazë të planifikimeve që bëjnë institucionet shëndetësore. Duhet të porositen barnat të cilat janë me nevoja emergjente, që janë më të domosdoshme, në mënyrë që institucionet shëndetësore të mos porositin barnat të cilat qëndrojnë në institucionet shëndetësore dhe u skadon afati i përdorimit për shkak se nuk përdoren”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nga lista esenciale duhet të largohen disa produkte medicionale dhe të shtohet numri i atyre barnave për të cilat pacientët kanë më shumë nevojë.

“Nga lista esenciale duhet të pakësohet numri i disa barnave dhe duhet të rritet numri i barnave për të cilat pacientët kanë më së shumti nevojë dhe në mënyrë që të mos mbesin në stoqe. Këtë vit ka më shumë buxhet sesa viteve të tjera për barna, por janë problem edhe çështjet e prokurimit, sepse po stërgjatën këto”, ka thënë ajo, duke shtuar se në gjithë këtë proces po dëmtohet pacienti.