Aktuale

Kundërshtohet zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Prizrenit

Kundërshtohet zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Prizrenit
25 maj 2018 • 13 : 49

Zgjedhja e Ismet Temajt si Rektor në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ po quhet e jashtëligjshme nga Sekretari i këtij universiteti.

Të mërkurën, në mbledhjen e rregullt të Këshillit Drejtues të UPZ-së, në raundin e dytë të votimeve dhe në mesin e kundërshtimeve u zgjodh rektori i ri i këtij universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri, tregoi për KALLXO.com rrjedhjen e mbledhjes ku ai mori vendimin për zgjedhjen e rektorit në Prizren ku kandidatë kryesorë ishin rektori aktual, Ramë Vataj dhe Ismet Temaj.

“Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur më 22.05.2018, në bazë të procedurave që parashihen për zgjedhjen e rektorit të universitetit, ka zgjedhur Profesorin Ismet Temajn. Zgjedhja është bërë në bazë të raundit të dytë të votimeve dhe ka sjellë rezultatin e tillë, katër vota ka marrë profesor Ismet Temaj ndërsa asnjë votë për Ramë Vatën”, tha Muhadri.

Megjithatë, sipas Sekretarit të këtij universiteti, Burim Berisha, kjo zgjedhje ka qenë e jashtëligjshme pasi raundi i dytë i votimit nuk e pati kourumin e duhur për zgjedhje të rektorit.

“Rektori nuk është zgjedhë. Ne kemi kërkuar një pauzë, anëtarët e bordit, tre anëtarët e bordit kanë dalë në korridor. Sipas tyre është mbajtur një raund tjetër i votimit, nuk ka pasur kourum, kanë qenë vetëm katër të pranishëm. Sipas tyre rezultati ka thënë 4 me 0 për Ismet Temajn”, tha Berisha për KALLXO.com.

Sipas Statutit të Universitetit të Prizrenit ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Megjithatë Muhadri tha se vendimin për zgjedhjen e rektorit e ka marrë me përgjegjësi të plotë.

“Shtatë anëtarë të bordit jemi, në raundin e dytë kanë marrë pjesë vetëm katër anëtarë të Këshillit Drejtues por unë në cilësinë e kryetarit kam konstatuar se raundi i parë dhe raundi i dytë janë pjesë integrale e çështjes së zgjedhjes së rektorit. Dhe anëtarët që kanë lëshuar mbledhjen, sigurisht duke parë që llogaritë e tyrë nuk ishin në favor. Duhet të jenë pesë anëtarë mirëpo KD ka filluar mbledhjen në orën 12 ku kanë qenë prezentë anëtarët. Ka filluar gara, garës së votimit në raundin e parë kanë qenë të shtatë anëtarët.”, tha Muhadri.

Ai po ashtu tha se presin interpretim nga organet kompetente lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi.

“Po ta ndjekim këtë logjikë kur nuk kemi rezultat të kënaqshëm në raundin e parë gjithherë një grup mund ta lëshojë mbledhjen dhe do të përsëriteshin këto çësthje të panumërta. Këto janë çështje që i interpreton ligji. Ne nuk po themi që në mënyrë kategorike kemi të drejtën tonë. Ne kemi bërë punën tonë, e kemi zgjedhë rektorin dhe tani është çështje e interpretimit të organeve kompetente”, tha Muhadri.

Në anën tjetër, sekretari i UPZ deklaroi se Muhadri kishte marrë me vete edhe materialin zgjedhor pas asaj mbledhjeje dhe për këtë çështje ai i është drejtuar policisë.

“Nuk kam vendim të bordit, bordi meqënesë i ka marrë edhe materialin zgjedhor edhe vulën, këtë rast e kam lajmëruar në polici”, tha Berisha.

Ndërkaq Muhadri nuk pranoi të flasë lidhur me akuzat se e ka marrë materialin zgjedhor.

“Për materialin zgjedhor unë kam dhënë një deklaratë në polici dhe për këtë çësthje më nuk dua të diskutoj”, tha Muhadri.

Nëse zgjedhet, rektori i Universitetit të Prizrenit do të fillojë mandatin më 1 tetor të këtij viti ndërsa marrja e një vendimi me shkrim për zgjedhjen e tij duhet të dalë brenda tetë ditësh.

© zëri.info