Aktuale

Tryeza e sotme, pa konsensus për zgjedhje

Tryeza e sotme, pa konsensus për zgjedhje
25 maj 2018 • 08 : 08 Foto: Driton Bublaku
Doruntina Thaçi

Sot do të mbahet tryeza e radhës e partive politike, këtë herë nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që temë diskutimi ka caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, përveç Vetëvendosjes dhe LDK-së, partitë e tjera shprehen kundër zgjedhjeve. Kurse njohësit e çështjeve politike thonë se nuk mund të ketë konsensus për zgjedhje në këtë kohë dhe theksojnë faktin se rrëzimi i Qeverisë bëhet përmes ngritjes së mocionit, por sipas tyre, aktualisht opozita nuk ka vota për rrëzimin e Qeverisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se pika e vetme e tryezës së sotme është caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme. “Ne e kemi thirrur këtë tryezë me qëllim të caktimit të zgjedhjeve për shkak të nevojës së madhe për këtë. Ky do të jetë fokusi. Kjo është e nevojshme për t’i çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimet euroatlantike”, thuhet në përgjigjen e anëtares së Kryesisë së kësaj partie, Tinka Kurti.

Vetëvendosja e LDK-ja, skeptike për arritjen e konsensusit

Ndërkaq deputeti i po këtij subjekti politik Ismajl Kurteshi ka thënë se ka pak shpresa që sot do të arrihet konsensusi ndërmjet partive politike për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. “Po synohet një konsensus, por duke u bazuar në deklarimet e partive politike para se të mbahet ajo tryezë po del që është vështirë të arrihet konsensusi. Ju jeni të informuar se disa parti janë deklaruar se nuk ka nevojë për zgjedhje, por është synim i takimit të nesërm që t’i afrojmë qëndrimet rreth shkuarjes në zgjedhje të reja”, ka thënë ai. 

Për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar për “Zërin” se LDK-ja do të jetë në tryezën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku tha se do të insistojnë në qëndrimin e tyre për të marrë edhe përkrahjen e partive të tjera që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme, ndonëse ka thënë se një marrëveshje e tillë nuk është e lehtë. “Kërkesa jonë dhe insistimi ynë do të jetë i qartë, vendi është në krizë institucionale, duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve dhe për veprimet që duhet të ndodhin që të mos paralizohen institucionet e vendit. Është vështirë të arrihet një marrëveshje, por ne do t’i ndjekim rrugët tona kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Hoti.

Pushteti: Do ta kundërshtojmë idenë për zgjedhje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Elmi Reçica, ndonëse nuk ka treguar nëse PDK-ja do të marrë pjesë në tryezën e Lëvizjes, ka thënë se PDK-ja nuk është për një marrëveshje me partitë e tjera që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. “Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për situatën që kemi aktualisht. Ka kohë për zgjedhje, ka kohë për garë. Ne e kemi një të keqe që na përcjell vazhdimisht, duam gara edhe pas garës. Gara për zgjedhje nacionale ka përfunduar më 10 qershor 2017”, ka thënë ai.

Ndërkaq ka thënë se janë të gatshëm të dakordohen me partitë për çështje të cilat kërkojnë konsensus nacional. Reçica më tutje ka thënë se do të vazhdojnë të funksionojnë si qeveri, duke lënë të kuptohet kthimi i plotë i Listës Serbe. “Ne nuk i kemi 52-53, por e kemi shumicën e nevojshme. Dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejt. Shumicën e nevojshme, që nënkupton 61 numra. Lista Serbe nuk është larguar asnjëherë prej Qeverisë, as prej Kuvendit”, ka përfunduar ai.

Kurse deputeti i AAK-së Blerim Kuqi ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në tryezë dhe do ta kundërshtojë shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. “Ne do të marrim pjesë sepse është në vazhdën e tryezave që po mbahen për konsensus nacional, por konsiderojmë që zgjedhjet e parakohshme nuk kanë të bëjnë me konsensus nacional. Ajo është kategori kushtetuese ligjore dhe nëse i ka votat opozita është mënyra sesi shkohet. Ndërkaq për tema të konsensusit nacional siç është dialogu, ushtria e zhvillimi ekonomik ne do të jemi aty”, ka thënë ai.

Kurse deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti ka treguar për gazetën se Nisma do të jetë pjesë e kësaj tryeze, ku edhe do ta shprehë qëndrimin e saj rreth shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. “Do të marrim pjesë dhe do ta shfaqim qëndrimin tonë në atë tryezë sipas ecurisë sonë politike partiake në funksion të interesit të vendit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq Vesel Makolli, nga AKR-ja, i tha “Zërit” se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në këtë tryezë ose jo. Mirëpo ai tha se edhe nëse AKR-ja vendos të shkojë, këtë do ta bëjë vetëm për ta kundërshtuar shkuarjen në zgjedhje. “Nuk kemi vendosur, po edhe nëse shkojmë, jemi kundër kësaj teme. Shumica e partive janë kundër kësaj teme. Nuk ka konsensus për zgjedhje. Dihet se si shkohet në zgjedhje”, ka thënë ai.

Alija: Paradoksal konsensusi për zgjedhje

Në anën tjetër, Rasim Alija nga Demokracia për Zhvillim (D4D) ka thënë për “Zërin” se e vetmja gjë e mirë që e kanë prodhuar këto tryeza është një relaksim i raporteve dhe një dialog me tone pozitive ndërmjet subjekteve. Alija e ka quajtur paradoksale nëse partitë politike kërkojnë konsensus për të shkuar në zgjedhje.  

“Dihet se si rrëzohen qeveritë dhe shkohet në zgjedhje, ose me mocion mosbesimi për Qeverinë, që aktualisht duket i pamundshëm për shkak të mungesës së votave nga ana e opozitës. Opsioni tjetër mbetet nëse ndonjëri nga partnerët e koalicionit qeverisës i bashkohet opozitës. Potencialisht zgjedhje të reja mund të ketë qershorin e vitit 2019”, ka thënë ai./ZËRI

© zëri.info