Aktuale

'Pingpong' me ushtrinë

'Pingpong' me ushtrinë
25 maj 2018 • 07 : 59 Foto: Driton Bublaku

Detajet

Arbesa Ibrahimi

Qeveria e Kosovës ia ka rikthyer Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës Projektligjin për Ushtrinë. Zyrtarë të ekzekutivit të vendit thonë se duhet të bëhen disa ndryshime, përderisa nga opozita thonë se po luhet “pingpong” me ushtrinë, shkruan Gazeta "Zëri".

Qeveria e Kosovës ia ka rikthyer Projektligjin për bërjen e Ushtrisë Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), ndonëse kjo e fundit më 8 maj të këtij viti ia pati përcjellë ekzekutivit draftligjin në fjalë.

Zyrtarë të Qeverisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se një veprim i tillë është bërë në mënyrë që Projektligji për Transformimin e FSK-së në FAK të precizohet dhe të saktësohet edhe më tej. Megjithëkëtë, nuk kanë treguar nëse ushtria do të bëhet me ndryshime kushtetuese ose me anë të ndryshimeve ligjore, duke thënë se që të dyja këto opsione janë të mundshme.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ky veprim i Qeverisë është ndërmarrë me qëllimin e vetëm: për të blerë kohë sa i përket çështjet së ushtrisë. Kjo pasi siç thonë ata, nga bashkësia ndërkombëtare po kërkohet që transformimi i FSK-së të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ku nevojiten edhe votat e Listës Serbe (LS). E pasi që LS-ja ka përsëritur edhe ditëve të fundit se nuk do ta mbështesë bërjen e ushtrisë, përfaqësuesit e opozitës paralajmërojnë rrezikun për ndonjë kompromis në dëm të Kosovës.

Matoshi: Kemi kërkuar precizitet të Projektligjit për Ushtrinë

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur për “Zërin” se Qeveria tashmë e ka rikthyer në MFSK Projektligjin për Ushtrinë për t’i bërë edhe disa ndryshime. I pyetur se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë, Matoshi ka thënë se kjo nënkupton precizitetin e Projektligjit në fjalë.

“Bëhet fjalë për precizitet, saktësim të këtij ligji, i cili ka të bëjë me një çështje tepër serioze, që do të thotë me çështjen e ushtrisë dhe mënyrës së funksionalizimit të saj. Do të thotë është çështje tepër delikate, kështu që duhet shumë kujdes”, ka deklaruar ai.

Sa i përket rrugës me të cilën do të formohet ushtria Matoshi ka thënë se dy mundësitë, edhe me ndryshime ligjore, edhe ajo me ndryshime kushtetuese, janë të hapura.

“Ekzistojnë që të dyja opsionet në rrafshin politik, porse ligji do të bëhet”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, duke folur rreth qëndrimit të Listës Serbe, e cila po vazhdon të deklarohet kundër ushtrisë, ai ka thënë se qëndrimet mund të ndryshohen.

“Është qëndrim i tyre politik dhe qëndrimet politike mund të ndryshohen”, ka theksuar ai. 

Demhasaj: Mund të arrihet kompromis për ushtrinë dhe Asociacionin

Duke folur rreth rikthimit të Projektligjit për Ushtrinë në Qeveri, Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka konsideruar se një gjë e tillë është bërë për të blerë kohë rreth kësaj çështjeje. Sipas tij, zvarritja e kësaj çështjeje po bëhet pasi që bashkësia ndërkombëtare po kërkon bërjen e ushtrisë përmes amendamentimit të Kushtetutës.

“Blerja e kohës mund të jetë një arsye. E dërgojnë një herë në Qeveri, pastaj Qeveria e kthen përsëri në Ministri për konsulta ose sqarime shtesë, për faktin se dihet që faktori ndërkombëtar ka kërkuar që ushtria të formohet me ndryshime kushtetuese. Vetë fakti që kjo iniciativë ka filluar vetëm me një ligj mund të jetë problemi i zvarritjes së Projektligjit, për faktin që duhen ndryshimet kushtetuese për ta rregulluar komplet çështjen e ushtrisë”, ka deklaruar ai.

Kjo pasi për të ardhur deri te ndryshimet kushtetuese, rrjedhimisht te bërja e ushtrisë, nevojiten edhe votat e Listës Serbe.

Pasi që Lista Serbe po vazhdon të jetë kundër ushtrisë, Demhasaj ka shfaqur mundësinë e rrezikut për arritjen e ndonjë kompromisi në këtë drejtim, i cili do ta përfshinte ushtrinë dhe Asociacionin.

“Kompromisi mund të jetë që Asociacioni të krijohet jo në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por me më shumë kompetenca, që i bie se duhet të ndryshohet Kushtetuta. Pra, ekziston një rrezik i tillë që të krijohet një kompromis, që Lista Serbe të mos i kundërshtojë ndryshimet kushtetuese të cilat flasin për krijimin e ushtrisë e aty pastaj të ndryshohet edhe ndonjë pjesë tjetër që mund t’i shtojë kompetenca edhe Asociacionit”, ka theksuar ai.

Shala: Ushtria, në koordinim me ndërkombëtarët

Megjithëkëtë Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka thënë se Komisioni në fjalë është në pritje të Projektligjit për Ushtrinë.

“Ne jemi në pritje të Projektligjit në mënyrë që Komisioni ta përfundojë punën e vet. Por sido që të jetë, ne së shpejti do ta thërrasim ministrin e MFSK-së dhe ta marrim edhe mendimin e tij se çka është duke ndodhur me të vërtetë me këtë ligj apo me ndryshime kushtetuese. Por ne e kemi pritur tash që po na vjen ligji, por ai u kthye”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht se nëpërmjet cilës rrugë formohet ushtria, sipas Shalës, është e rëndësishme që të bëhet në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar.

“Me rëndësi është që të kemi një mbështetje të faktorit ndërkombëtar dhe pastaj në secilën formë do të bëhet, me versionin A apo B, me ndryshime kushtetuese ose ligjore. Por me rëndësi është që të kemi koordinim të mirë me faktorin ndërkombëtar, besoj që pjesa tjetër nuk është shumë e rëndësishme”, ka shtuar ai.  

Selimi: Qeveria po luan me ushtrinë

Në anën tjetër Rexhep Selimi, zëvendëskryetar i parë në Komisionin për Mbikëqyrje të FSK-së (nga LVV-ja), ka konsideruar se Qeveria po luan me çështjen e ushtrisë.

“Qeveria e Kosovës, madje të gjitha qeveritë rresht, Ligjin për FSK-në e kanë kthyer në një top pingpongu. E kanë sjellë sa e sa herë në Kuvend, e kanë rikthyer në Qeveri, prapë e kanë sjellë në Kuvend dhe prapë e kanë rikthyer në Qeveri. Kështu kanë bërë edhe tani, pasi që kanë filluar ta procedojnë e kanë rikthyer në MFSK”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

 

Selimi gjatë bisedës ka thënë se Komisioni, i cili është për ta mbikëqyrur punën e FSK-së, nuk është informuar në asnjë moment sa i përket transformimit në FAK.

“Askush deri sot nuk është konsultuar me anëtarët e Komisionit, respektivisht me Komisionin që e mbikëqyr këtë temë. Nuk jemi njoftuar për ndonjë draftligj për këtë çështje dhe deri më tani Qeveria e Kosovës bashkë me MFSK-në po vazhdojnë ta mbajnë të fshehur draftin, duke mos e bërë transparent as për ta dhënë kontributin tonë për një çështje kaq të rëndësishme”, ka nënvizuar ai.

Më tej, Selimi ka shfaqur drojën se për bërjen e ushtrisë mund të arrihet ndonjë kompromis me Serbinë në dëm të Kosovës.

“Kam frikë që konspiracioni i manifestuar deri më tash në këtë çështje do të rezultojë me kompromise të dhimbshme edhe për ushtrinë”, është shprehur ai.

© zëri.info