Qeveria shpërfill Kuvendin

Aktuale May 24, 2018 - 08:55
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Seanca që ishte paraparë të mbahej dje është shtyrë për një afat të pacaktuar në mungesë të kreut të Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinajt. Deputetët e opozitës së vendit po e shohin këtë shtyrje si shpërfillje të Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit, pasi mungesat e tilla e bëjnë jofunksional atë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tash e një muaj janë duke u shtyrë tri interpelancat parlamentare të kryeministrit Ramush Haradinaj për arsye të ndryshme.

Këtë herë seanca e së mërkurës, që në rend dite kishte këto interpelanca, është shtyrë për shkak se kryeministri Haradinaj ndodhet për vizitë zyrtare në Vatikan, shkruan më tutje "Zëri".

Njohësit e çështjeve politike të vendit e shohin këtë shtyrje të seancave si ikje e përgjegjësisë së Qeverisë së vendit ndaj obligimeve që ka ndaj Kuvendit.

LEXO EDHE: Serbia vazhdon ndërtimin e vendbanimit 'Lugina e Diellit'

Sipas tyre, shpërfillja e raportimit në Kuvend është bërë normë e cila po lejohet edhe nga deputetët e tjerë të Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i ka thënë Zërit se opozita e vendit është përgjegjëse për mangësitë që po ndodhin në Kuvend, pasi ajo po e shfrytëzon mungesën e numrave të pozitës për të mos votuar pika të caktuara gjatë seancave.

“Kuvendi po funksionon mirë në përgjithësi, por ka mangësi të ndryshme veçanërisht kur ndonjëherë nuk ka kuorum dhe opozita kur e sheh se pozita nuk ka kuorum e përdor të drejtën që të mos votojë dhe kështu mbesin shumë vendime, ligje e amendamente pa u votuar, pra për interesa politike. Aq sa ka përgjegjësi për funksionimin e Kuvendit pozita, aq ka edhe opozita e vendit”, ka thënë Haliti.

Ai mes tjerash ka konfirmuar që seanca e së mërkurës është shtyrë me kërkesë të kryeministrit Haradinaj për shkak të udhëtimit të tij zyrtar për në Vatikan.

Ndërsa duke folur për mospunën e Kuvendit, Haliti ka thënë që nëse opozita e vendit dëshiron ta rrëzojë Qeverinë aktuale duhet të vijë në Kuvend me votat e nevojshme për këtë gjë.

“Të gjithë e dimë numrin e deputetëve që ka pozita dhe në qoftë se duan ta rrëzojmë Qeverinë ose ta shpërndajmë Kuvendin duhet të vijnë në Parlament dhe t’i bëjnë votat e nevojshme për ta realizuar këtë objektiv të veten. Nëse presin që Qeveria do ta kërkojë shkarkimin e vetvetes dhe Parlamenti të shpërndahet me vendim të pozitës, atëherë e kanë gabim sepse kjo nuk do të ndodhë”, ka theksuar Haliti.

Nagavci: Shtyrja e seancave, ikje nga përgjegjësitë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se shtyrja e seancave të Kuvendit po bëhet për shkak të mosgatishmërisë së kryeministrit Haradinaj për t’u ballafaquar me çështje të rëndësishme për vendin.

“Kjo shtyrje është vetëm një mosgatishmëri e kryeministrit dhe e Qeverisë që të përballet me interpelancat për të cilat është ftuar, sepse vizita e cila është treguar si shkak i shtyrjes nuk ka qenë diçka e paplanifikuar dhe që ka ndodhur aty për aty, kështu që kur është caktuar vazhdimi i seancës sigurisht e kanë pasur parasysh edhe agjendën e kryeministrit”, ka thënë Nagavci për “Zërin”.

Nagvaci ka thënë, për arsye se kanë qenë në rend dite disa çështje të rëndësishme për vendin Qeveria ka zgjedhur që të mos përballet me çështjet për të cilat janë thirrur.

Sipas Nagavcit, në seancat e thirra të Kuvendit ka një grumbullim të pikave të rendit të ditës, të cilat çojnë në humbjen e efikasitetit të këtyre çështjeve. Sipas saj, i tërë Kuvendi po stërngarkohet me tema të cilat nuk po arrijnë të trajtohen si duhet.

Kusari-Lila: Qeveria është fajtore për shtyrje të seancave

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke folur për shtyrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për “Zërin” ka thënë që për këtë shtyrje përpos Kuvendit është fajtore edhe Qeveria e Kosovës, e cila po i bojkoton seancat e Kuvendit.

“Për këto shtyrje nuk janë fajtorë vetëm udhëheqësit e Kuvendit, por edhe vetë Qeveria e cila po e minimalizon punën e Kuvendit. Ajo që po e shohim tash e disa muaj është një menaxhim dhe një planifikim jo i drejtë i seancave. Seancat me 20 e më shumë pika nënkuptojnë që nuk do të ketë mundësi brenda një dite ose dy të realizohen, kështu që ato vetëm po grumbullohen”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka thënë se duhet prezenca e Qeverisë dhe e kabinetit qeveritar të jetë e domosdoshme gjatë seancave ku ata duhet të raportojnë.

“Duhet të planifikohen më mirë seancat, të kemi më pak pika dhe të trajtohen disa pika që janë të parapara në koordinim edhe me Qeverinë, edhe me një prezencë të domosdoshme të anëtarëve të Qeverisë për pikat që duhet raportuar”, ka thënë ajo.

Murati: Kuvendi nuk guxon të shpërfillet nga Qeveria

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Qeveria e Kosovës po vazhdon ta shpërfillë Kuvendin, gjë që nuk guxon të ndodhë.

“Kjo shtyrja e seancës së të mërkurës nuk është i tërë faji i Kuvendit, sepse nuk do të duhej të mbaheshin interpelancat pa kryeministrin dhe pa personin për të cilin edhe janë thirrur ato. Mirëpo këtu po shpërfaqet edhe një herë shpërfillja e Qeverisë ndaj Kuvendit, por edhe e kryeministrit Haradinaj. Kjo nuk është hera e parë që ka këso tendencash që të caktohet orar ose ditë kur të thirret në seancë, duke u arsyetuar me faktin se kryeministri ka punë të tjera”, ka thënë Murati.

Sipas tij, pavarësisht punëve dhe detyrave që ka kryeministri, një nga detyrat e tij është të raportojë në Kuvend sepse pikërisht Kuvendi është punëdhënësi i Qeverisë dhe në këtë mënyrë nuk guxon që ajo të shpërfillet.

“Shpërfillja e Kuvendit është bërë normë që po lejohet edhe nga deputetët, sepse pikërisht ata duhet të jenë më të zëshëm sa i përket kësaj pune dhe t’i mbajnë përgjegjës edhe kabinetin qeveritar, por edhe vetë kryeministrin për mosprezencën në punën e Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, problem tjetër i Kuvendit është mungesa e kuorumit që duhet të qartësohet me Rregulloren e Re të Punës së Kuvendit.