S’ka barna në spitale, ankohen pacientët

Aktuale May 24, 2018 - 08:23
Lexoni më shumë detaje

Spitalet kosovare vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe të materialit shpenzues, me ç’rast pacientët po detyrohen të njëjtat t’i sigurojnë në barnatoret private, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Nexhmi Havolli, pacient i njërës nga klinikat e QKUK-së, thotë për Zërin se edhe barnat e listës esenciale po detyrohen t’i blejnë vetë.

“Kam ardhur të bëj një kontroll në spital. Me disa barna kemi problem shumë, sepse po duhet t’i blejë vetë pacienti. Mjekët po thonë se nuk ka dhe po duhet vetë të dalim për t’i marrë. Është shumë telashe me barna. Ne jemi pensionistë dhe po na kushtojnë shumë shtrenjtë, por çfarë të bëjmë. Për shëndet po duhet të gjitha t’i i sakrifikojmë e t’i blejmë barnat”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Politizimi i Kushtetueses

Sipas tij, shumicën e barnave nuk po munden t’i gjejnë në spitale.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk është e vetmja e cila po ballafaqohet me mungesë të disa barnave nga lista esenciale.

Gazeta Zëri ka kontaktuar edhe me mjekë nga spitalet e përgjithshme në Kosovë, të cilët kanë konfirmuar se nuk ka furnizim të mjaftueshëm me barna, si pasojë e së cilës edhe nuk po mbulohen të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Në lidhje me këtë, edhe anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Shemsi Veseli, ditë më parë ka treguar për “Zërin” se 40% e barnave nga lista esenciale dhe diku 60% e materialit shpenzues janë duke munguar në spitale.

Hallin e njëjtë me Havollin po e ndan edhe Ukë Selimi, i cili ditën e djeshme kishte shkuar për t’i bërë disa analiza në QKUK.

“Kam ardhur në kontroll, disa analiza kam për t’i bërë. Mjekët po sillen mirë me ne, nuk po sillen keq. Po detyrohemi vazhdimisht të blejmë barna”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Besa Baftiu ka thënë për “Zërin” se me rritjen e buxhetit për shëndetësinë është e paarsyeshme mungesa e barnave në spitale..

“Buxheti  për shëndetësi është rritur. Këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar. Prandaj kjo mungesë e barnave e që është në të gjitha institucionet, qoftë në nivelet primare, sekondare e terciare, është e paarsyeshme, e pajustifikueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, anëtarët e këtij komisioni kanë diskutuar edhe me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në lidhje me mungesën e barnave në spitale.

Baftiu është sqaruar nga ministri Ismaili, ku është thënë se prej muajit të ardhshëm nuk do të ketë më probleme të tilla me barna.

Behxhet Shala, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka thënë për “Zërin” se shëndetësia ka rënë në një nivel të ulët, pasi që siç ka thënë ai, edhe pavarësisht buxhetit të rritur për shëndetësi ka mungesa të barnave.

“Deri tash kanë premtuar se qytetarët e Kosovës nuk do të kenë problem sa i përket furnizimit me barna, sidomos të atyre nga lista esenciale. Sot po del se për shërbimin më të vogël mjekësor qytetarët po duhet t’i blejnë vetë edhe barnat, por edhe pajisjet e tjera të cilat u nevojiten”, ka thënë ai.