Politizimi i Kushtetueses

Aktuale May 24, 2018 - 08:05
Lexoni më shumë detaje

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar dështoi t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese gjatë javës së kaluar, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Asnjëri prej gjashtë kandidatëve shqiptarë nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për të ardhur në pozitën e gjyqtarit të Kushtetueses.

Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se ky dështim erdhi si pasojë e pazareve mes partive të koalicionit qeverisës.

Sipas tyre, në mesin e kandidatëve për gjyqtarë ka pasur kandidatë që e kanë merituar të vijnë në krye të Gjykatës Kushtetuese, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan më tutje "Zëri".

Një praktikë e tillë, siç thonë ata, dëshmon qartazi se edhe gjyqtarët e rinj do të jetë persona të dirigjuar nga politika.

LEXO EDHE: Ministri Rikalo me biznes në sektorin e bujqësisë (DOKUMENT)

Megjithëkëtë, përfaqësuesit e partive në pushtet kanë mohuar të ketë pazare politike në të tilla raste.

Sipas tyre, dështimi i zgjedhjes së gjyqtarëve ka ardhur si pasojë e shpërndarjes së votës së deputetëve, pasi që, siç ata janë shprehur, sistemi i votimit të lirë mundëson që askush të mos i marrë votat e mjaftueshme.

Mirëpo përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se jo vetëm në Kushtetuese, por edhe në institucionet e tjera emërimet bëhet nëpërmjet pazareve politike.   

Miftaraj: Pazare edhe me rastin e gjyqtarëve të rinj

Ndonëse zgjedhja e gjyqtarëve do të duhej të bëhej në mënyrë të pavarur, sipas Ehat Miftarajt, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në Kosovë po ndodh e kundërta.

“Pavarësisht faktit se në bazë të Kushtetutës Kuvendi i Kosovës do të duhej ta siguronte një proces të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në rekrutimin dhe në votimin e kandidatëve për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, të cilët kandidatë do të kishin integritet dhe kredibilitet të pakontestuar, praktika po dëshmon se politika në mënyrë pothuajse të hapur po sigurohet që edhe në këtë gjykatë të dërgojë njerëz të dëgjueshëm dhe njerëz që do t’i shërbejnë politikës”, ka deklaruar ai.

Duke folur rreth dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e gjyqtarëve të Kushtetueses, Miftaraj ka thënë se në mesin e kandidatëve kishte edhe të atillë persona të cilët meritonin të zgjidheshin.

“Edhe pavarësisht asaj se në këtë proces kishte kandidatë kredibilë dhe me integritet, të njëjtët nuk morën votat e nevojshme, përkundrazi kandidatët me të kaluar kriminale u votuan. Kjo është dëshmi se partitë politike edhe me rastin e gjykatësve të rinj do të bëjnë pazare politike për t’i dërguar njerëzit e tyre në këtë institucion kaq të rëndësishëm”, ka theksuar ai.

Isufi: S’ka pasur pazare, deputetët kanë votuar sipas vullnetit

Pavarësisht kësaj, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka përjashtuar mundësinë që dështimi në zgjedhjen e gjyqtarëve ka ardhur si pasojë e pazareve mes partive politike.

“Jo, unë konsideroj se po të ishin bërë pazare politike kjo do të ishte kryer, por ka ndodhur e kundërta, deputetët kanë votuar sipas vullnetit të tyre”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Si rrjedhojë e kësaj, sipas Isufit, ka ndodhur shpërndarja e votës së deputetëve, duke pamundësuar zgjedhjen e gjyqtarëve.

“Në bazë të punës që është bërë në Komisionin për Vlerësimin e Kandidatëve në listën e ngushtë kanë kaluar në Parlament 7 kandidatë, por ka ndodhur shpërbërja e votës së deputetëve dhe nuk është arritur kuota e mjaftueshme për të kaluar, kështu që është përsëritur konkursi”, ka shtuar ai.

Nagavci: Pati kandidatë të përgatitur, por u zgjodh një me të kaluar kriminale

Mirëpo deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka konsideruar se dështimi i zgjedhjes së tre gjyqtarëve shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur pikërisht si pasojë e pazareve mes partive politike.

Sipas saj, pazare për të tilla çështje bëhen edhe nëpër institucione të tjera.

“Tashmë është e qartë që si zgjedhja e anëtarëve të Bordit, ashtu edhe zgjedhja e personave të tjerë nëpër institucione bëhet përmes pazareve. Do të duhej që në rend të parë të ishte aspekti profesional, por llogaritjet bëhen në kalkulimet partiake të subjekteve të caktuara”, ka deklaruar ajo.

Nagavci më tej ka thënë se në mesin e atyre që kishin aplikuar për pozitat e gjyqtarëve kishte edhe të atillë që ishin të përgatitur profesionalisht. E përderisa, sipas saj, ata nuk arritën t’i marrin votat, në pozitën e gjyqtarit u zgjodh një person me të kaluar kriminale.

“Në anën tjetër i mori votat kandidati i komunitetit serb, i cili ka një të kaluar kriminale”, është shprehur ajo, duke thënë se LVV-ja i ka dërguar letër presidentit Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Radomir Llaban për gjyqtar në Kushtetuese. 

Pajaziti: Sistemi i votimit bën që askush të mos i marrë votat

Duke folur rreth dështimit të Kuvendit për t’i zgjedhur gjyqtarët shqiptarë, deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Kuvendi dështon në të tilla situata.

E deri te kjo, sipas tij, ka çuar shpërndarja e votës së deputetëve. 

“Nuk është hera e parë që Kuvendi ka dështuar në votim, mënyra e votimit si është tash me rregullore krijon rrethana të tilla. Nuk është mirë, sepse institucionet duhet me kohë t’i kenë njerëzit e vet nëpër vendet e caktuara, por kjo mënyrë e votimit nënkupton që duhet të ketë njëfarë dakordimi mes grupeve politike, sepse votat gjithmonë janë të tilla, mund të shpërndahen shumë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist se në rundin e ardhshëm të këtij procesi do të zgjidhen gjyqtarët shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese dhe se ata do të jenë njerëz profesionistë.

Sipas tij, partitë politike do të duhej të merreshin vesh për kriteret dhe kualitetet që do të sillen në Kushtetuese.

“Sistemi i votimit të lirë mundëson dhe krijon rrethanat e tilla që askush të mos i marrë votat e mjaftueshme. Ajo për të cilën do të duhej të dakordoheshim është për kriteret, për kualitetet që duhet sjellë aty më shumë sesa për emrat dhe njerëzit që duhet të jenë”, ka theksuar ai. 

Ndërkaq Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, ka vlerësuar se praktika e emërimeve politike në Kushtetuese duhet të ndërpritet sa më parë.

Kjo pasi, siç ai ka deklaruar, një gjë e tillë dëmton tejet shumë sistemin e drejtësisë.