Bajrami: Që PDK të jetë sërish e para duhen reforma rrënjësore

Aktuale May 23, 2018 - 22:40
Detajet

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka fuqinë që e ka pasur, sepse është vonuar në reforma dhe në tranzicion. Kështu ka vlerësuar nënkryetari i kësaj partie, Arsim Bajrami.

Ai ka thënë se transformimi i PDK-së duhet të jetë i shpejtë dhe programor, duke u shkëputur nga mendësia e dy dekadave të para si parti, drejt një sistemi të brendshëm vlerash.

LEXO EDHE: Bajrami: Asociacioni, alibi e Vuçiqit për humbjen e Kosovës

“Unë kam bërë një analizë të pacenzuruar, me kërkesë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veslit. Ka qenë një analizë 70 faqe, shumë kritike, për vonesat në transformimin e partisë. PDK-ja nuk ka kohë për reforma kozmetike, apo sipërfaqësore. Duhen bërë reforma rrënjësore”, ka deklaruar Bajrami në Klan Kosova.

“Ka ardhur koha që ne themeluesit të jemi zëri më kritik i partisë. Është me rëndësi që transformimi të jetë i shpejtë dhe programor. Duhet shkëputur nga mendësia që kemi pasur për gati dy dekada. Ka ardhur koha që të bëjmë shkëputje nga thirrja në luftën e fundit”.

“PDK ka nevojë të krijojë sistem të brendshëm vlerash, sepse është parti që ka qeverisur një dekadë. Duhet jo vetëm të investojë në kuadro, por edhe prurjet e reja t’i bëjë në bazë të meritave. Unë nuk jam larguar nga PDK-ja. Do të jem anëtar i përjetshëm i kësaj partie”.

“Kadri Veseli ka përgjegjësi, sepse kur e ka marrë drejtimin e PDK-së, ka qenë parti fituese”.

“Problem ka qenë vonesa në reformimin e partisë dhe marrjen e masave nga zgjedhjet lokale të vitit 2014 kur kemi humbur shtatë komuna. Nuk ka pasur reflektim. Janë bërë kompromise dhe këto kompromise ndonjëherë e dëmtojnë partinë”.

“Kryetari Veseli asnjë vendim deri tani nuk e ka marrë pa u konsultuar me kryesinë e partisë”.

Bajrami ka theksuar se PDK-së i duhet një proces i ndërrimit të gjeneratave dhe punë më e madhe me rininë në mënyrë që të ketë vazhdimësi, ndërsa për raporte më të qëndrueshme me partnerët kultivimi i korrektësisë.

“Është i domosdoshëm një transformim gjeneratash në cdo parti politike në Kosovë. Secila parti duhet të ketë shkollë në të cilën merr gjeneratat e reja. Por sektori më pasiv në PDK është ai i rinisë. Ky segement duhet të plotësohet. Ka pasur pak investim në edukimin e të rinjve”.

“Kur nuk e ke kryeministrin të partisë nuk mund të shkëlqesh në qeverisje. Por PDK-ja po mban qëndrim korrekt ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj. PDK-ja duhet të kultivojë korrektësinë ndaj partnerëve. Mund të them se ndonjëherë nuk jemi shquar me korrektësi”.

Sondazhet, që e nxjerrin PDK-në partinë e dytë në vend, nënkryetari i kësaj partie i ka quajtur të rëndësishme, por duke shtuar se ato shpeshherë janë treguar të ndryshueshme.

“Ndoshta fakti që PDK për dy mandate i fiton zgjedhjet por nuk qeveris me vendin ka ndikur në elektorat. Duhet të jemi realistë, nuk e kemi fuqinë që e kemi pasur. Jemi vonuar në reforma, në tranzicion”.

“PDK-së nuk i duhet kryesi me 50 anëtarë, por një kryesi normale me 10 apo 15 anëtarë. I duhet një Grup Parlamentar shumë pragmatik, që e duan identitetin e PDK-së”.