Kosova dorëzon kërkesën për hapje të Ambasadës në Lisbonë

Aktuale May 23, 2018 - 20:43
Detajet

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, po qëndron për një vizitë në Portugali. Në kuadër të kësaj vizite ajo është pritur nga Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme portugeze, znj Ana Paula Zacarias, transmeton “Zëri.info”

Në këtë takim Vuniqi i ka dorëzuar asaj kërkesën zyrtare për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Lisbonë.

Duke e falënderuar nikoqiren e takimit për mbështetjen gjithëpërfshirëse që Republika portugeze i ka dhënë vendit tonë që nga periudha luftës, rindërtimin e paqes nëpërmjet forcave paqeruajtëse portugeze, njohjes së hershme dhe përkrahjes së parezervë për integrimin dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare e strukturat euro-atlantike dhe me qëllimin e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm bilateral në mes dy vendeve, Zëvendësministrja Vuniqi i ka dorëzuar edhe kërkesën zyrtare për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në kryeqytetin portugez, Lisbonë.

Qëllimi dhe kërkesa për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Lisbonë është mirëpritur dhe vlerësuar e rëndësisë së veçantë nga përfaqësuesit e shtetit pritës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa është ri-konfirmuar vazhdimi i mbështetjes si në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës ashtu edhe në atë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe rrugës së integrimit dhe anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

Të dy bashkëbisedueset, veç tjerash, kanë rënë dakord që të zhvillohen konsultimet politike në mes të dyja vendeve në vjeshtën e këtij viti si dhe të punohet në organizimin e një Forumi Ekonomik në të ardhmen e afërt.

Gjatë ditës, zëvendësministrja Vuniqi është pritur edhe nga Kryesuesja e Komisionit për Çështje Evropiane në Asamblenë portugeze, znj Regina Bastos.

Zëvendministrja Vuniqi ka marrë pjesë edhe në aktivitetin kulturor Mini-Dokufest – Lisbonë, ku u shfaqën disa filma kosovarë në Institucionin kulturor portugez, që mbikëqyret nga Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë -Institutin Camões.

Kjo ngjarje u organizua në bashkëpunim me DukuFestin dhe ku morrën pjesë edhe Drejtorja e Festivalit Nita Deda dhe Drejtori Artistik, Veton Nurkollari.

Në kuadër të kësaj vizite, Zëvendësministrja Vuniqi është shoqëruar nga Ambasadori jo-rezident i Republikës së Kosovës në Portugali, z. Qëndrim Gashi. /ZERI