Gjeneral Rama reagon, ndaj medieve serbe: 'Plani' i FSK-së në veri!
E përditshmja beogradase, “Novosti”, ka publikuar sot një artikull lidhur me përgatitjen e një “plani të FSK-së” për ndërhyrje në veri të Republikës së Kosovës. Mirëpo, këto raportime po dalin të rrejshme dhe aspak reale.
Kjo gazetë raportoi se në këtë plan janë të përfshirë zyrtarët e lartë të Kosovës, dhe operacioni i hyrjes në Jarinje dhe Bërnjak po përpunohet në bazën amerikane “Bondsteel”.
“Qëllimi i aksionit të cilin do ta zhvillonin FSK-ja është që të prodhohet efekti psikologjik te serbët në veri të Kosovës, gjegjësisht përshtypja se janë të shkëputur nga Serbia”.
Mirëpo, gjitha këto raportime po hedhën poshtë nga numri një i këtij institucioni të sigurisë.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se shkrimet e tilla janë vazhdimësi e propagandës së shekullit të kaluar.
“Çfarë flasin ata s’ka të bëjë me kurgjo. FSK-ja i ka pjesëtarët e vet në pjesën veriore sikur gjithë të tjerët. S’ka asnjë plan asnjë ide për atë punë, janë propaganda të tyre”, është shprehur ai.
Megjithatë, Rama ka sqaruar se FSK-ja është e shtrirë edhe në pjesën veriore të vendit.
“Ne i kemi pjesëtarë tanë në pjesën veriore. Ata janë të integruar dhe shërbejnë si gjithë të tjerët. Nuk kanë asnjë telashe ndërsa me propagandat dhe komentet e tyre nuk duam të merremi”, është shprehur ai