PDK-ja po e politizon Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë

Aktuale May 22, 2018 - 18:10
Detajet

Dy kryetarët, Agim Bahtiri i Mitrovicës dhe Xhafer Tahiri i Vushtrrisë, nëpërmes të një reagimi të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre për siç kanë thenë, “tentimit të politizimit të spitaleve të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë nga PDK-ja, duke vendosur për drejtorë njerëz jashtë fushës së shëndetësisë dhe anëtarë të PDK-së”, shkruan Gazeta "Zëri".

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë reaguar ashpër pas informacioneve se për drejtorë të Spitalit Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë dhe në spitalin “Sheyk Zayed” në Vushtrri do të emërohen persona jashtë fusha e shëndetësisë, anëtarë të subjektit politik PDK.

Ata kanë vlerësuar se me këtë akt po dëmtohet rëndë sistemi shëndetësor, i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur. “Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismaili të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të subjektit politik PDK apo edhe familjarë të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor.

I bëjmë thirrje PDK-së që t’i mbajë duart larg nga shëndetësia, sepse veprimet e tyre të fundit janë rrezik për sistemin shëndetësor të komunave tona me më shumë se 200 mijë banorë. E kuptojmë panikun që e ka kapur PDK-në pas humbjeve në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, por që këto humbje nuk duhet të shërbejnë si arsye për t’i zaptuar institucionet e pavarura, e aq më pak institucionet e shëndetësisë.

Jemi shqetësuar me këtë gjendje, ku ShSKUK në koordinim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, është në prag të zgjedhjes për drejtorë të Spitalit të Mitrovicës dhe Spitalit të Vushtrrisë, dy persona që asnjë ditë pune nuk e kanë në sistemin shëndetësor e as që kanë shkollim për shëndetësi, por që të vetmen ‘meritë’ e kanë se i kanë shërbyer PDK-së për shumë vite.

Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asambleist i PDK-së dhe ish - drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit”, thuhet në reagimin e kryetarëve Bahtiri e Tahiri.

Ata u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe presidentit, Hashim Thaçi që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e drejtorëve të këtyre dy spitaleve.

“Anulimi i këtij konkursi dhe hapja e një gare të mirëfilltë, ku pjesë e saj do të ishin specialistët më të devotshëm të shëndetësisë, do t’ia kthente dinjitetin sistemit shëndetësor dhe shpresën qytetarëve se mund të trajtohen profesionalisht në spitalet e tyre, e jo të marrin rrugë drejt spitaleve të shteteve rreth nesh”, kanë vlerësuar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe ai i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një reagim të përbashkët./ZËRI