‘Sikur politika të kishte vullnet për rend e ligj moti do ta kishim liberalizimin’ (VIDEO)

Aktuale May 22, 2018 - 15:29
Lexoni më shumë detaje

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë se është e paarsyeshme që presidenti Hashim Thaçi të jetë kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Krasniqi ndër të tjera ka folur edhe për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, për të cilën ka thënë se në Pakon e Ahtisaarit nuk parashihet që ushtria të bëhet me 2/3 e votave të komuniteteve pakicë.

Ai po ashtu përmendi edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilin tha se Serbia nuk po kërkon Asociacion, por të fusë një nivel të pushtetit përmes të ashtuquajturës  “Zajednicë”.

Sipas ish-kryeparlamentarit, po të kishin vullnet politikanët në Kosovë për sundimin e rendit dhe të ligjit Kosova moti do ta kishte marrë liberalizimin e vizave

Zëri: A prisni që Kosova të marrë shpejt liberalizimin e vizave?

Krasniqi: Kurrë nuk kam pasur dëshirë të jap mendime dhe qëndrime për punën që nuk është varur nga unë. Konsideroj që liberalizimi i vizave nuk varet nga politika dhe nga drejtuesit në Kosovë. Varet nga vendimi që do të merret në Bruksel. Sigurisht që institucionet e Kosovës i kanë mundësitë e veta, por detyrat dhe përgjegjësitë janë sundimi i rendit e i ligjit dhe mosndërhyrja në sistemin e drejtësisë. Ne kemi probleme me sistemin e drejtësisë dhe me krimin dhe e korrupsionin. Sikur politika në Kosovë dhe drejtuesit në Kosovë ta kishin vullnetin që vërtet të sundojë rendi dhe ligji, të respektohet Kushtetuta dhe ligjet ne moti do ta kishin liberalizimin. Udhëheqësit nuk duhet të premtojnë për liberalizimin e vizave. 

Zëri: A është duke u luftuar seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni?

Krasniqi: Duke qenë pjesë e politikës dhe vëzhgues i saj mund të them se sistemi i drejtësisë është i pareformuar dhe nuk është duke funksionuar në baza të së drejtës kushtetuese e ligjore dhe më shumë kemi një përpjekje për t’u dukur që po i luftojmë dukuritë negative sesa që po i luftojmë ato. Unë mendoj që pa reformë të sistemit të drejtësisë ne e kemi të vështirë t’i kryejmë obligimet tona. Te liberalizimi ka diçka politike, ne e kemi një vështirësi sepse pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është vështirësi politike, të cilën ndoshta BE-ja do ta tejkalojë por nuk është e lehtë.