Bizneset të pakënaqura me punimet e rrugës, komuna u premton lehtësira

Aktuale May 22, 2018 - 12:39
Lexoni më shumë detaje

Gjatë ditës së sotme pronarët e bizneseve në rrugën "Fehmi Agani", më saktësisht siç njihen “Te kafet e vogla”, kanë mbajtur një konferencë për shtyp, ku kanë paraqitur ankesat ë tyre ndaj Komunës së Prishtinës për punimet që po bëhen në këtë rrugë e që sipas tyre kjo gjë po ua dëmton bizneset, raporton “Zeri.info”.

Pronari i kafenesë, "Lips Cafe", Veton Zuka ka thënë se këto punime i kanë shkaktuar dëmi në biznes.

“Nuk është siç ka qenë, është dal jashtë kohës së caktuar por ne jemi të shqetësuar për punën e cila ka ngecur. Duam të dimë se kur do të përfundojnë punimet. Jemi goxha shumë të dëmtuar”, ka thënë ai.

Drejtori i Menaxhimit dhe të Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka thënë se janë të njoftuar me këto probleme por që në fund për këtë çështje dhe këto biznese do të ketë lehtësira.

“Shumica e lokaleve kanë probleme më kanalizim. Sot jemi në ditën e 34 të punës  jemi të njoftuar me brengat e tyre por shpresojmë që deri në fillim të muajit do të përfundojnë punimet. Bizneset do të kenë lehtësira”, ka thënë ai, raporton “Zeri.info”.

Ai tutje ka shtuar se do të kërkojnë nga Policia e Kosovës mbylljen e kësaj rruge.

“Do të kërkojmë zyrtarisht nga policia e Kosovës që ta mbyllin përkohësisht këtë rrugë”, ka thënë ai. /ZERI/