Daçiq: Serbisë po i bëhet presion për të arritur marrëveshje me Kosovën

Aktuale May 22, 2018 - 10:33
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se po ushtrohet presion ndaj Serbisë për të arritur një marrëveshje me Kosovën brenda këtij viti.

Daçiq ka theksuar se Serbia nuk do të tregtojë në aspektin e Kosovës për shkak të afateve kohore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai i ka thënë RTS-së se vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës gabohen kur pretendojnë se procesi është i pakthyeshëm, transmeton lajmi.net.

“Si mund të jetë proces i pakthyeshëm kur ka vende të cilat e kanë tërhequr njohjen? Një numër i madh i shteteve sot reflekton mbi vendimin për të njohur Kosovën”.

Sipas tij, vendet perëndimore që pranuan pavarësinë e Kosovës po mbronin politikat e tyre nga vitet e 90-ta.

“Është e vështirë në qoftë se ata ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës, ky është fundi logjik i një politike të tillë që nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe bombardimet”, ka thënë Daçiq.

Duke komentuar mbi deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin rreth ndryshimit të prioriteteve të politikës së jashtme të Serbisë, Daçiq ka thënë se anëtarësimi në BE mbetet një prioritet por jo me ‘çdo çmim’.