Krasniqi: Thaçi të mos i udhëheqë bisedimet me Serbinë

Aktuale May 22, 2018 - 08:08
Lexoni më shumë detaje

Ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka thënë se është e paarsyeshme që presidenti Hashim Thaçi t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Krasniqi po ashtu ka thënë se serbët nuk po duan një Asociacion, porse po kërkojnë më shumë, megjithatë, sipas tij, Kosova nuk do të bëjë kompromise tjera që e tejkalojnë Pakon e Ahtisaarit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi gjatë një interviste për gazetën Zëri ka thënë se është e paarsyeshme që presidenti Hashim Thaçi të jetë kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Krasniqi ndër të tjera ka folur edhe për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, për të cilën ka thënë se në Pakon e Ahtisaarit nuk parashihet që ushtria të bëhet me 2/3 e votave të komuniteteve pakicë.

LEXO EDHE: Opozita, e dobët karshi 'Qeverisë së pakicës'

Ai po ashtu përmendi edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të cilin tha se Serbia nuk po kërkon Asociacion, por të fusë një nivel të pushtetit përmes të ashtuquajturës  “Zajednicë”.

Sipas ish-kryeparlamentarit, po të kishin vullnet politikanët në Kosovë për sundimin e rendit dhe të ligjit Kosova moti do ta kishte marrë liberalizimin e vizave.

Zëvendësministrat e zbehin punën e kryeministrit dhe të ministrave

Zëri: Si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Krasniqi: Nuk është lehtë të vlerësohet për shumë arsye. Në një, pse Qeveria është një koalicion bukur i gjerë për nga 5-6 parti politike, ka një numër të madh të ministrave sidomos të zëvendësministrave dhe këto e zbehin punën e kryeministrit dhe të ministrave që duan të punojnë. Kjo Qeveri ka trashëguar disa probleme bukur të mëdha siç ishte Demarkacioni, i cili u kapërcye pastaj problemi kryesor politik janë bisedimet e Kosovës me Serbinë. Këto probleme politike e kanë kushtëzuar Qeverinë që të largohet nga detyrat ekzekutive që i ka ajo. Në këtë rrafsh mendoj që ende janë bërë disa hapa, por duhet të shikohen se cilat do të jenë rezultatet. Qeverisja në këtë mandat është goxha e vështirë edhe për një arsye tjetër - për shkak të numrave që janë në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kërkesave të paarsyeshme të Listës Serbe dhe një ndërhyrje e Beogradit në qeverisjen e vendit.

Zëri: Cilat janë vërejtjet kryesore për këtë Qeveri?

Krasniqi: Unë kam pritur që vendimet e mëdha politike do të kryhen më shpejt dhe do t’i lëshohet rrugë detyrave ekzekutive, por kjo nuk është arritur. Problemet politike kanë mbetur ato që ishin, temat janë përveç bisedimeve është liberalizimi dhe çështje të tjera politike, por nuk kemi pasur një zhvillim ekonomik dhe një ndërhyrje në segmente të rëndësishme në qeverisjen e vendit. Këtu e ka vështirësuar mungesa e numrave se në fakt tani Qeveria e Kosovës dhe opozita janë barabartë me numra dhe kjo e vështirëson punën e të gjitha institucioneve të Kosovës. Ne si Nismë jemi duke bërë përpjekje që fushat të cilat ne i udhëheqim t’i dërgojmë aty ku duhet, por nëse merret komplet qeverisja ka vështirësi.

Asnjë parti nuk është për zgjedhje

Zëri: LDK-ja tash e disa muaj është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, po ashtu edhe Vetëvendosja. A mendoni se ka vullnet të partive tjera për zgjedhje?

Krasniqi: Unë mendoj që në këtë fazë në të cilën jemi asnjë parti politike nuk është për zgjedhje. Sigurisht që zgjedhjet në të shumtën e rasteve janë zgjidhje, por nëse kemi parasysh qeverisjen e kaluar dhe tani konsideroj që pa i kryer disa detyra dhe obligime tjera nuk është momenti për të mbajtur zgjedhje. E kam thënë disa herë se nuk jam kundër zgjedhjeve, por jam kundër zgjedhjeve që nuk prodhojnë zgjidhje. Edhe po të mbahen zgjedhje këtë vit konsideroj që vendi nuk do ta kishte zgjidhjen, prandaj partitë duhet të bisedojnë për ta bërë një reformë zgjedhore sepse me këtë platformë që e kemi është vështirë të prodhohen zgjidhje. Problemet që janë krijuar në Kosovë janë si rezultat i reformës zgjedhore. Për mua edhe listat e mbyllura janë më të mira sesa ky sistem që është tani.

Zëri: Të premten në tryezën e organizuar nga Vetëvendosja pritet të diskutohet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, a prisni marrëveshje aty?

Krasniqi: Konsideroj se është mirë që janë duke thirrur tryeza dhe në këto bisedime mund të gjendet një zgjidhje e mirë për të ardhmen, qoftë për të shkuar në zgjedhje ose për ta bërë reformën zgjedhore dhe vetëm pas kësaj të shkohet në zgjedhje sepse jam i bindur se ky sistem zgjedhor që e kemi do ta prodhojë të njëjtën situatë. Ky sistem zgjedhor nuk mund të prodhojë qeverisje ndryshe në Kosovë. Unë do të dëshiroja që në këtë të premte të arrinte një marrëveshje, por nëse kemi parasysh kulturën e komunikimit që është instaluar në shoqërinë tonë e në mënyrë të veçantë ne Kuvend nuk pres që ky debat të përfundojë kaq shpejt. E rëndësishme është që tryezat të vazhdojnë dhe subjektet politike të arrijnë një marrëveshje politike.

Sikur politika të kishte vullnet për rend e ligj moti do ta kishim liberalizimin

Zëri: A prisni që Kosova të marrë shpejt liberalizimin e vizave?

Krasniqi: Kurrë nuk kam pasur dëshirë të jap mendime dhe qëndrime për punën që nuk është varur nga unë. Konsideroj që liberalizimi i vizave nuk varet nga politika dhe nga drejtuesit në Kosovë. Varet nga vendimi që do të merret në Bruksel. Sigurisht që institucionet e Kosovës i kanë mundësitë e veta, por detyrat dhe përgjegjësitë janë sundimi i rendit e i ligjit dhe mosndërhyrja në sistemin e drejtësisë. Ne kemi probleme me sistemin e drejtësisë dhe me krimin dhe e korrupsionin. Sikur politika në Kosovë dhe drejtuesit në Kosovë ta kishin vullnetin që vërtet të sundojë rendi dhe ligji, të respektohet Kushtetuta dhe ligjet ne moti do ta kishin liberalizimin. Udhëheqësit nuk duhet të premtojnë për liberalizimin e vizave. 

Zëri: A është duke u luftuar seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni?

Krasniqi: Duke qenë pjesë e politikës dhe vëzhgues i saj mund të them se sistemi i drejtësisë është i pareformuar dhe nuk është duke funksionuar në baza të së drejtës kushtetuese e ligjore dhe më shumë kemi një përpjekje për t’u dukur që po i luftojmë dukuritë negative sesa që po i luftojmë ato. Unë mendoj që pa reformë të sistemit të drejtësisë ne e kemi të vështirë t’i kryejmë obligimet tona. Te liberalizimi ka diçka politike, ne e kemi një vështirësi sepse pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është vështirësi politike, të cilën ndoshta BE-ja do ta tejkalojë por nuk është e lehtë.

Sipas Pakos së Ahtisaarit serbët nuk mund ta bllokojnë ushtrinë

Zëri: Ende nuk ka ndodhur transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Lista Serbe vazhdon të jetë kundër formimit të ushtrisë. Si e shihni këtë çështje?

Krasniqi: Unë duke qenë sidomos në pjesën e dytë të bisedimeve të Vjenës në dokumentin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, të njohur si Dokumenti i Ahtisaarit, realisht 2/3 e votave të komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës ka qenë e paraparë kryesisht për të drejtat që prekin interesat e drejtpërdrejta të komunitetit pakicë. Konsideroj që çështja e ushtrisë nuk është çështje e cila duhet të konsiderohet si e drejtë substanciale e komunitetit pakicë, por në Kushtetutën e Kosovës shkruan ashtu. Do të ishte mirë që një numër i caktuar i deputetëve (40 deputetë) të Kosovës t’ia parashtrojnë një pyetje Gjykatës Kushtetuese se ekziston dallimi për këtë çështje në mes të Kushtetutës sonë dhe Dokumentit të Ahtisaarit. Atje nuk është paraparë që çështja e ushtrisë të jetë me 2/3 e votave të komuniteteve pakicë, kurse në Kushtetutë parashihet. Është thënë se kur një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës nuk është në përputhje me të drejtën e paraparë me Marrëveshjen Ndërkombëtare, atëherë Marrëveshja Ndërkombëtare është e vlefshme.

Zëri: A mund të bëhet ushtria vetëm përmes ligjeve, pra pa ndryshime kushtetuese?

Krasniqi: Mendoj që ne nuk duhet të biem ndesh me komunitetin ndërkombëtar, kemi arritur të koordinohemi me ta edhe për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe duhet ta ruajmë bashkëpunimin me ta. Ne duhet të kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar, nga BE-ja e SHBA-ja që në këtë rrafsh ta gjejmë mënyrën që ta kapërcejmë këtë pengesë. Kosovës i nevojitet siguri më e madhe. I nevojitet ushtria dhe sigurisht as që mendohet që kjo ushtri rrezikon paqen në rajon për faktin se janë të tjerët ata që po e bëjnë një gjë të tillë, po mendoj për Serbinë, e cila po rri në dy karrige. Në njërën anë do të bëhet pjesë e BE-së dhe në karrigen tjetër një orientim goxha i dukshëm pro Rusisë. Mendoj që perëndimi duhet t’ia bëjë të qartë Beogradit që ta zgjedhë një rrugë. Mendoj që në një periudhë të shkurtër kohore edhe kjo çështje do të zgjidhet, por duhet të jetë një këmbëngulje më e madhe e institucioneve të Kosovës për ta formuar ushtrinë e saj.

Zëri: Qeveria ka miratuar platformën për dialog, ku njëra ndër pikat parasheh që presidenti Thaçi ta udhëheqë fazën finale të dialogut. A mendoni që presidenti Thaçi është adekuat për udhëheqjen e këtyre bisedimeve kur dihet se nga deputetët po ka kundërshtime për një gjë të tillë?

Krasniqi: Ka këtu anomali të shumta, e para është se këto bisedime i ka kryer ish-kryeministri Thaçi, që në mandatin e dytë të tij i ka filluar e pastaj edhe në mandatin e kaluar këto bisedime i ka zhvilluar Qeveria, jo presidenti. Presidenti tek ne ka më tepër kompetenca ceremoniale e jo ekzekutive. Çështjet për të cilat bisedohet me Serbinë janë çështje krejt të natyrës ekzekutive, kështu që për mua është e paarsyeshme pse deri dje kur Thaçi ishte kryeministër zhvillonte bisedimet, kurse sot kur ai është president t’i delegohet çështja e bisedimeve. Për mua kjo është e paarsyeshme. Konsideroj që bisedimet e Brukselit janë përcjellë me një varg të madh parregullsish dhe të pazbatueshmërisë. Pala e Kosovës ka qenë e papërgatitur. Cilido që të jetë ai person që ka zhvilluar bisedimet politike dhe të cilat nuk kanë dhënë rezultate për pesë vjet pse duhet ta ndjekim përsëri të njëjtën rrugë. Unë konsideroj që rrugën që e ka ndjekur Kosova për këto bisedime për 5-6 vjet nuk duhet ta vazhdojë. Mendoj që nëse këto bisedime i lihen presidentit përsëri Kosova nuk do të fitojë gjë dhe nuk shoh normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Kosova nuk mund të shkojë përtej Pakos së Ahtisaarit

Zëri: Çka prisni prej fazës së fundit të dialogut? A mendoni që do të përfundojë me njohje? A mendoni se ka hapësirë që të bëhen kompromise në këtë fazë të fundit, qoftë edhe kompromise të dhimbshme për Kosovën?

Krasniqi: Në bisedimet e Vjenës Kosova ka bërë kompromisin e saj të madh. Komunitetet pakicë në asnjë vend të Evropës nuk i kanë këto kompetenca, siç i ka komuniteti pakicë në Kosovë. Unë mendoj që presioni i komunitetit ndërkombëtar duhet të drejtohet kah Beogradi. Kurse shqiptarët duhet t’i marrin detyrat dhe përgjegjësitë për ta zbatuar deri në fund Dokumentin e Ahtisaarit, por jo për të shkuar përtej atyre që janë të theksuara qartë aty. Një çështje që duhet ta kemi parasysh janë edhe bisedimet e fundit që ishin në Bullgari. Aty presidenti Thaçi tha që duhet të bëhet një ligj obligativ për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj që kjo është thënë gabimisht, sepse me atë ligj obligativ për normalizim të marrëdhënieve nuk besoj që Kosova del fituese. Kjo fazë varet shumë se a do ta marrë seriozisht pala e BE-së dhe SHBA-ja, sepse mendoj që roli kryesor në këtë fazë është i tyre.

Zëri: Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, për mediet serbe ka thënë se duhet të ndryshohet Korniza Ligjore në Kosovë në mënyrë që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa përfaqësuesit serbë të pjesës veriore ditë më parë kanë thënë se nevojitet edhe ndryshimi i Kushtetutës. A duhet të bëhen ndryshime të tilla?

Krasniqi: Konsideroj që për Asociacion nuk duhet të bëhet ndryshimi as i Kushtetutës, as i ligjeve, sepse Asociacioni është gati njëfarë shoqate joqeveritare, por si institucion ekziston edhe në Kartën e BE-së për Decentralizim, edhe në Dokumentin e Ahtisaarit dhe në Kushtetutën tonë, në ligjet tona. Ne e kemi Asociacionin dhe në fund të fundit sikur të ishte Asociacion nuk ka pasur nevojë as të bisedohet në Bruksel, por pala serbe nuk po kërkon Asociacion. Do të ishte krejt normale ta thoshin çka po kërkojnë, por Asociacion nuk është. Është një Bashkësi e Komunave Serbe, që ata e quajnë “Zajednicë”, sepse në fund të fundit ata e kanë edhe fjalën Asociacion. Ata po donë që përmes një dritareje ta fusin një nivel të pushtetit, i cili nuk gjendet as në Dokumentin e Ahtisaarit, as në Kushtetutën e Kosovës. Asociacioni mund të krijohet edhe sepse ne e kemi statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare dhe mund të bëhet, por kërkesa e tyre nuk është Asociacion. 

Zëri: Kemi parë se si në mandatin e kaluar, por edhe në këtë legjislaturë Kuvendi nuk mban seanca me rregull, zakonisht seancat po mbahen kur po grumbullohen shumë pika në rend dite, po ashtu kemi parë se debatet shpesh po eskalojnë. A mendoni se po degradon Kuvendi?

Krasniqi: Nëse ka ardhur deri te degradimi i Kuvendit është për shkak të sistemit zgjedhor dhe mënyra sesi zgjidhen deputetët. Me këtë nivel të kulturës, të përgjegjësive dhe përkushtimit të deputetëve është vështirë të ketë një përkushtim, prandaj duhet ndryshimi i sistemit zgjedhor. S’mund ta fajësoj kryetarin e Kuvendit, edhe pse edhe ai e ka një përgjegjësi, por funksionimi i Kuvendit është rezultat si i pozitës, ashtu edhe i opozitës. Ky sistem zgjedhor i ka konvenuar veç e veç çdo subjekti politik jo për të pasur zgjedhje të rregullta, por për ta pasur mundësinë për të bërë zgjedhjen e dëshirueshme të krerëve të partive politike.