Opozita, e dobët karshi 'Qeverisë së pakicës'

Aktuale May 22, 2018 - 07:48
Lexoni më shumë detaje

Koalicioni qeverisës për rreth dy muaj është duke funksionuar me vetëm 52 vota në Kuvend dhe njëkohësisht vazhdon të mos jetë i rrezikuar nga opozita. Lëvizja Vetëvendosje për këtë të premte ka thirrur tryezën e radhës, në të cilën do të diskutohet për zgjedhjet e parakohshme, por shumica e subjekteve politike parlamentare s’do të marrin pjesë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kanë kaluar rreth dy muaj prejse koalicioni qeverisës është duke funksionuar me vetëm 52 vota në Kuvendin e Kosovës, ndërsa qeveria “Haradinaj” vazhdon të mos jetë e rrezikuar nga opozita.

Dy partitë opozitare, LDK-ja e Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi po paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme, edhe pse ende nuk kanë bërë ndonjë hap konkret që do të çonte drejt rrëzimit të Qeverisë, rrjedhimisht drejt zgjedhjeve të parakohshme, shkruan më tutje "Zëri".

Pikërisht për këtë çështje LVV-ja ka thirrur tryezën e radhës, e cila pritet t’i mbledhë partitë politike gjatë kësaj të premte.

Mirëpo, jo të gjitha subjektet do të marrin pjesë në këtë takim, kjo pasi pika e vetme që do të diskutohet aty është dakordimi për zgjedhje të parakohshme. 

Përderisa nga AAK-ja dhe nga AKR-ja kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë tryezë nëse temë e vetme e takimit janë zgjedhjet, zyrtarë të PDK-së kanë pohuar se ende nuk kanë marrë qëndrim rreth kësaj.

Ndonëse tema e tryezës së LVV-së do të jetë dakordimi për zgjedhje, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se nuk do të ketë një epilog të tillë nga tryezat.

Rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” në rrethanat e tanishme, sipas tyre, duket i pamundshëm për t’u realizuar.

Kurti: Qeveria aktuale nuk është legjitime

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se LVV-ja tashmë ka nisur që t’ua dërgojë ftesat partive politike për tryezën, e cila do të mbahet të premten.

Kjo tryezë sipas Kurtit do të organizohet për t’i caktuar zgjedhjet e reja dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza, pasi Qeveria aktuale nuk është legjitime.

“Ftesat janë duke u dërguar, shpresoj që të gjithë ata që i kemi ftuar të vijnë. Kjo është një tryezë tjetër për arritjen e një konsensusi për zgjedhje të reja përmes së cilave synojmë edhe zgjidhjen e problemeve”, deklaroi Kurti gjatë një konference të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

Krasniqi: Qëllimi i tryezave është të arrihet konsensusi, jo të diskutohet për zgjedhje

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LVV-ja, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ky subjekt ende nuk e ka marrë ftesën.

“Ne ende s’e kemi pranuar ftesën zyrtare, andaj s’mund të përgjigjem me saktësi se si do të veprojmë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithatë, Krasniqi ka thënë se qëllimi i tryezave nuk janë zgjedhjet e parakohshme, porse temat e nivelin nacional.

“Ajo që mund të them tash është se qëllimi i tryezave ka qenë që të arrihet konsensus i gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje, të cilat ne mendojmë se duhet të mbahen në afatin e rregullt ligjor”, ka theksuar ai.

Ndërkohë LVV-ja e kishte bojkotuar tryezën paraprake, të cilën e kishte organizuar PDK-ja.

Veliu: Nëse s’ka datë për zgjedhje, do t’i ndërmarrim hapat e tjerë

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka pohuar se LDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Vetëvendosja.

Veliu me këtë rast ka thënë se kjo parti është që fillimisht të arrihet një konsensus politik.

“E kemi thënë që në fillim, se ne momentalisht kemi dhënë mundësinë e një konsensusi të subjekteve politike për të gjitha çështjet që janë në interes për Kosovën në këtë moment. Pastaj nëse nuk gjendet ai konsensus shumë shpejt ne do të shkojmë në variantin tjetër, në variantin e kërkesës për zgjedhje të shpejta”, ka deklaruar Veliu, duke mos specifikuar ndonjë afat kohor lidhur me këtë çështje.

Veliu gjatë bisedës ka thënë se LDK-ja ka ofruar mbështetje për zgjidhjen e çështjeve nacionale, porse ka kërkuar që ta dijë datën se kur vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

AAK-ja e AKR-ja nuk marrin pjesë në tryezën e LVV-së

Kurse nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka konsideruar se organizimi i tryezave politike është një veprim në dobi të vendit.

“Në fakt do të duhej të luanin rolin orientues për çështje me interes nacional dhe në këtë frymë japim edhe shembull për të mirë se si duhet të kemi konsensus përbrenda kur bëhet fjalë për shtetin”, ka deklaruar Lekaj për “Zërin”.  

Megjithatë Lekaj ka bërë të ditur se AAK-ja nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga LVV-ja nëse aty do të diskutohet vetëm për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Nëse takimi mbahet edhe për tema të tjera po, por jo vetëm për zgjedhje”, ka thënë ai.

Edhe Vesel Makolli, sekretar i përgjithshëm i AKR-së, ka bërë të ditur se ky subjekt nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LVV-ja, pasi LVV-ja ka dalë jashtë asaj që partitë politike janë marrë vesh.

“Së pari, ata kanë dalë prej kontekstit të tryezave. Në tryezën e dytë janë bërë disa konkluzione që të shqyrtohen ato tema të cilat janë jetike për Kosovën, që të kemi një konsensus të përgjithshëm e t’i shtyjmë ato përpara. Andaj, kjo që ata kanë dalë nga ky kontekst tregon se nuk i kanë qëllimet e mira, por partiake. Andaj, kjo është ajo që neve na shtyn të mos marrim pjesë”, ka deklaruar ai.

E ndonëse janë bërë dy muaj prejse koalicioni qeverisës është duke funksionuar me rreth 50 numra në Kuvend, Makolli është shprehur i bindur se koalicioni do të vazhdojë së funksionuari.

Sherifi: Marrim pjesë në tryezë, por nuk e mbështesim idenë për zgjedhje

Pavarësisht tyre kryetari i Grupit Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka njoftuar se ky subjekt do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Po, do të shkojmë në takim dhe do t’ua themi se Nisma nuk e mbështet idenë e zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar ai.

Sipas Sherifit, partitë opozitare kanë të drejtë që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, porse Nisma nuk e përkrah këtë qasje.

“Opozita është në të drejtën e saj të kërkojë zgjedhje, por ne nuk e mbështesim një ide të tillë”, ka theksuar ai.

Alija: Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, aktualisht i pamundshëm

Në anën tjetër Rasim Alija, hulumtues në organizatën joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se tryezat e partive politike nuk mund të rezultojnë me një pajtueshmëri për zgjedhje të parakohshme.

“Caktimi i datës së zgjedhjeve të përkohshme si rezultat i këtyre tryezave duket paradoks. I bie që subjektet politike të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës ta rrëzojnë veten me një marrëveshje paraprake me partitë opozitare. Dihet se si rrëzohen qeveritë dhe shkohet në zgjedhje ose me mocion mosbesimi për Qeverinë, që aktualisht duket i pamundshëm për shkak të mungesës së votave nga ana e opozitës”, ka deklaruar ai.

Varianti tjetër sipas Alijës është që njëra prej partive në pushtet t’i bashkëngjitet ndonjë mocioni të ngritur nga opozita, në mënyrë që Qeveria të përfundojë e rrëzuar.