Jevtiq: Serbët e Kosovës po plaçkiten me qëllim që t’i braktisin pronat e tyre

Aktuale May 21, 2018 - 15:08
Lexoni më shumë detaje

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq ka thënë se vjedhjet e pasurisë nëpër fshatrat serbe në muajt e fundit po e ndalojnë kthimin dhe po ushtrojnë presion mbi serbët e mbetur për t’u larguar.

‘B92’ shkruan se pas grabitjeve të fundit në fshatrat Babimocë dhe Milloshevë, Jevtiq thotë se familjet e dëmtuara rrallë i raportojnë rastet në polici.

Sipas tij, ata kanë humbur shpresën se autorët e krimit do të sillen para drejtësisë dhe do të dënohen, përcjell lajmi.net.

“Në mënyrë që besimi i ndërsjellë ndërmjet dy popujve serb dhe shqiptar por edhe besimi tek institucionet të jetë në baza të forta, Policia e Kosovës dhe sistemi i drejtësisë duhet më shumë të aktivizohen në ndalimin e këtyre akteve”, ka thënë Jevtiq.

Jevtiq ka theksuar se këto veprime sjellin dëme të mëdha në procesin e kthimit dhe mbetjes së popujve joshumicë në Kosovë.

Ai ka shtuar se serbët janë të gatshëm të qëndrojnë në pronat e tyre dhe se Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit me kapacitetin e tyre do t’i ndihmojë ta arrijnë këtë qëllim.

“Kërkoj, nuk e di për të satën herë që edhe institucionet tjera në Kosovë të përfshihen në atë që është interes i shoqërisë kosovare, siç është paqja, stabiliteti dhe sundimi i ligjit”.