‘Përgjegjës për degradimin e Kuvendit është Kadri Veseli’

Aktuale May 21, 2018 - 12:08
Mësojeni se kush thotë kështu

Deputetët dhe analistët politikë thonë se Kuvendi i Kosovës është degraduar në dy legjislaturat e fundit prejse në krye të këtij institucioni ka ardhur kryetari i PDK-së Kadri Veseli, shkruan "Zëri".

Mosmbajtja e seancave të rregullta, seancat e gjata, përplasjet verbale e së fundmi edhe fizike në mes të deputetëve vlerësohen si disa nga pikat që dëshmojnë se nuk ka menaxhim të mirë të punës së Kuvendit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haxhi Avdyli thotë se funksionimi i mirë i institucioneve varet nga menaxhimi. Ai ka thënë se Kuvendi nuk është duke u menaxhuar si duhet nga kryetari Kadri Veseli.

“Kuvendi i Kosovës nuk është duke u menaxhuar në mënyrën e duhur. E kemi një kryetar, i cili nuk është duke e menaxhuar mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. Ka pasur raste kur Kuvendi ka dalë nga kontrolli dhe mungesa e kryetarit është shumë e shpeshtë, e drejtimi i seancave delegohet te nënkryetari Haliti, i cili me një nervozizëm dhe me udhëheqje të papërgjegjshme të seancave po shkakton tensione”, ka deklaruar Avdyli për "Zërin".

LEXO EDHE: Degradimi i Kuvendit në dy mandate

Ai më tej ka thënë se është i mangët komunikimi në mes të Qeverisë dhe Kuvendit dhe ka theksuar mungesën e ministrave në seanca gjatë pyetjeve parlamentare, si dhe gjatë interpelancave.

Deputeti i LDK-së më tej ka thënë se ky mosfunksionim i Kuvendit nuk duhet të vazhdojë më tutje, pasi vlerëson se po shkakton mosfunksionim të mekanizmave tjerë shtetërorë.

“Është degradim i shkaktuar nga kryetari, pasi ai ka përgjegjësinë kryesore për planifikimin, por ai është vetëm kryetar ‘sa për sy e faqe’ sepse ka punë tjera dhe nuk merret me Kuvendin. Ka pasur raste kur në rend dite kanë qenë deri në 30 pika. Menaxhimi jo i duhur nga kryetari ka bërë që Kuvendi në të shumtën e rasteve ose voton shkel e shko, ose merret me gjëra dytësore”, është shprehur Avdyli.

Në fund ai ka thënë se LDK-ja do t’i përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. /ZËRI/