Degradimi i Kuvendit në dy mandate

Aktuale May 21, 2018 - 07:46
Lexoni më shumë detaje

Deputetët dhe analistët politikë thonë se Kuvendi i Kosovës është degraduar në dy legjislaturat e fundit prejse në krye të këtij institucioni ka ardhur kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Mosmbajtja e seancave të rregullta, seancat e gjata, përplasjet verbale e së fundmi edhe fizike në mes të deputetëve vlerësohen si disa nga pikat që dëshmojnë se nuk ka menaxhim të mirë të punës së Kuvendit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në legjislaturën e kaluar dhe në këtë aktualen Kuvendi nuk po mban seanca sipas planit të punës dhe kjo po bën që në rend dite të seancave të grumbullohen deri në 30 pika.

Shpeshherë në mes të një seance thirret seancë tjetër, ndërsa debatet “folklorike”, që vlerësohet se nuk kanë kurrfarë efekti, janë të shpeshta, shkruan më tutje "Zëri".

Të gjitha këto po konsiderohet se po mbesin nën hijen e përplasjeve verbale në mes të deputetëve e që së fundmi kanë kaluar edhe në konfrontim fizik.

I gjithë ky degradim i Kuvendit sipas deputetëve ka filluar në mandatin e kaluar dhe se po vazhdon edhe në këtë legjislaturë.

Ndërsa analistët politikë thonë se përplasjet e deputetëve janë të planifikuar dhe se u shërbejnë partive për të fituar vota.

Avdyli: Përgjegjës është Kadri Veseli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haxhi Avdyli thotë se funksionimi i mirë i institucioneve varet nga menaxhimi.

Ai ka thënë se Kuvendi nuk është duke u menaxhuar si duhet nga kryetari Kadri Veseli.

“Kuvendi i Kosovës nuk është duke u menaxhuar në mënyrën e duhur. E kemi një kryetar, i cili nuk është duke e menaxhuar mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. Ka pasur raste kur Kuvendi ka dalë nga kontrolli dhe mungesa e kryetarit është shumë e shpeshtë, e drejtimi i seancave delegohet te nënkryetari Haliti, i cili me një nervozizëm dhe me udhëheqje të papërgjegjshme të seancave po shkakton tensione”, ka deklaruar Avdyli.

Ai më tej ka thënë se është i mangët komunikimi në mes të Qeverisë dhe Kuvendit dhe ka theksuar mungesën e ministrave në seanca gjatë pyetjeve parlamentare, si dhe gjatë interpelancave.

Deputeti i LDK-së më tej ka thënë se ky mosfunksionim i Kuvendit nuk duhet të vazhdojë më tutje, pasi vlerëson se po shkakton mosfunksionim të mekanizmave tjerë shtetërorë.

“Është degradim i shkaktuar nga kryetari, pasi ai ka përgjegjësinë kryesore për planifikimin, por ai është vetëm kryetar ‘sa për sy e faqe’ sepse ka punë tjera dhe nuk merret me Kuvendin. Ka pasur raste kur në rend dite kanë qenë deri në 30 pika. Menaxhimi jo i duhur nga kryetari ka bërë që Kuvendi në të shumtën e rasteve ose voton shkel e shko, ose merret me gjëra dytësore”, është shprehur Avdyli.

Në fund ai ka thënë se LDK-ja do t’i përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”.

Kurteshi: Në dy legjislaturat e fundit Kuvendi nuk e ka kryer punën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se edhe në këtë legjislaturë sikurse edhe në atë paraprake Kuvendi nuk është duke e kryer punën si duhet.

“Jo vetëm kohët e fundit, por Kuvendi edhe këtë mandat sikurse në mandatin e kaluar  nuk e ka kryer punën si duhet. Së pari nuk respektohet plani i punës, nuk mbahen seancat me rregull, ato vonohen dhe pastaj po bëhen me deri në 25 ose 30 pika në rend dite. Asnjëherë Kuvendi nuk e fillon punën me kohë, pauzat janë të stërzgjatura. Kemi mbetur shumë prapa me procedim të ligjeve”, ka potencuar Kurteshi.  

Ai ka thënë se ka nevojë të debatohet për shumë çështje, porse debatet duhet të përgatiten më mirë dhe të trajtohen problemet e të propozohen zgjidhjet.

Megjithatë, sipas Kurteshit nuk po merren parasysh as rekomandimet dhe as rezolutat që po miratohen nga Kuvendi. 

“Qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse pak po i kushtojnë rëndësi asaj që thuhet në Kuvend dhe nuk po merren me to. Më 19 janar 2017 Kuvendi ka miratuar një rezolutë për arsimin, të cilën e ka shpallur prioritet nacional. Po prej atëherë asnjë veprim nuk është bërë”, ka përfunduar Kurteshi.

Kadri Veseli, përgjegjësi kryesor për degradimin e Kuvendit

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, ka thënë se përgjegjës për degradimin e Kuvendit është kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Si për sukseset, ashtu edhe për degradimin e një institucioni përgjegjës kryesorë janë bartësit e atij institucioni, gjegjësit ata që janë në krye, pra duke filluar nga kryetari dhe kryesia. Ata janë përgjegjës për mënyrën se si janë thirrur seancat, pasi ato thirren rrallë vetëm kur grumbullohen një numër i madh i pikave të rendit të ditës dhe asnjëherë nuk e kemi filluar një seancë dhe ta përfundojmë pa ndërprerje e ta futim një tjetër në mes të saj”, ka deklaruar Pantina për gazetën “Zëri”.

Ajo ka përmendur si shembull debatin për luftën kundër korrupsionit, i cili është mbajtur para tri javësh por që ende nuk janë votuar rekomandimet.

Megjithatë, përgjegjës për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, sipas Pantinës, janë edhe vetë deputetët.

“Një pjesë e deputetëve është përgjegjëse për këtë degradim, për shkak se gjuha që përdorin është e papranueshme, sjelljet e tyre janë të rënda dhe të patolerueshme”, është shprehur ajo duke thënë se: “Çdoherë e më pak e shoh veten pjesë të këtij Kuvendi ndonëse jam deputete, por aspak nuk ndihem mirë kur jam aty”.

Në anën tjetër deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që seancat të mbahen me rregull dhe të kenë më pak pika në rend dite.

Por sipas tij, këtë duhet ta vlerësojë Kryesia.

“Por më shumë sesa kjo ne duhet ta ndryshojmë Rregulloren. Më e rëndësishme sesa kohëzgjatja e seancës është e rëndësishme të ndryshohen disa rregulla, punën e debateve dhe të interpelancave duhet rregulluar më ndryshe dhe koha e votimit të këtë një përcaktim sepse jogjithmonë deputetët e kanë të njëjtin interesim për ligjet e që është e natyrshme. Kjo do të na e lehtësonte punën, sepse sado të gjatë të jenë seancat do të jetë një kohë e veçantë për votime”, ka thënë Pajaziti.

Sipas tij, kryetari i PDK-së Kadri Veseli është duke e kryer shumë mirë punën e kryetarit të Kuvendit.

“Kryetari vetëm e udhëheq seancën, Kryesia vendos për seancën. Opozita duhet t’i shtrojë në Kryesi kërkesat. Madje kryetari i Kuvendit duke e vlerësuar se çfarë sfidash ka pasur në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat ka bërë dhe po bën një udhëheqje shumë të mirë të seancave të Kuvendit”, ka shtuar Pajaziti.

Tahiri: Degradimi i Kuvendit me plane të partive politike

Politologu Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se duke e vlerësuar nga jashtë punën e Kuvendit mund të konsiderohet se është bërë degradim i Kuvendit, por kjo po bëhet me plane të partive politike.

“Unë nga jashtë mund të konsideroj se është bërë një degradim, por sigurisht se partitë politike dhe grupet parlamentare kanë marrë udhëzime për t’u sjellë ashtu sepse konsiderojnë se është një lloj parafushate ose propagande në favor të partisë politike”, ka vlerësuar Tahiri.  

Madje sipas tij, edhe këto zënkat procedurale ose përplasje verbale po duket se janë në atë funksion në shërbim të partisë.

“Tani se a është mirë, a është keq duhet ta vlerësojnë deputetët sepse ata janë përfaqësues të popullit”, ka thënë më tej Tahiri.

Sipas tij, puna e madhe duhet të bëhet në komisione, ndërsa në seancë plenare duhet të dallohen vetëm në ato pika ku nuk ka pasur pajtim në komisione, si dhe të ngrihen temat që Qeveria nuk ka dëshirë të ngrihen.