Kelmendi arsyetohet për mungesat në Kuvend

Aktuale May 19, 2018 - 18:18
Lexo detajet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të mungojnë në seanca parlamentare, pasi nuk ka penalizime për mungesat e tyre. Madje as rregullorja e re e Kuvendit, që është duke u përgatitur, nuk pritet t’i sanksionojë deputetët “përtacë”, shkruan "Zëri.info". 

Deputeti Ramiz Kelmendi, i cili është deputeti me pjesëmarrjen më të ulët në seancat parlamentare (24 nga 52 seanca apo 46%), ka thënë për “Zërin” që këto mungesa të tij vijnë si pasojë e gjendjes shëndetësore të tij.

“Kjo çështje është e vullnetit të deputetit. Ai i përfaqëson votuesit e vet, ai është pjesë e një partie politike dhe vendos për pjesëmarrje në seancë, sepse është vendim individual dhe jo vendim grupor. Kjo nuk është e mirë, por gjithkush i di punët e veta dhe e di të ardhmen e tij politike. Unë për shkaqe shëndetësore nuk kam mundur të marr pjesë”, ka thënë Kelmendi për "Zërin".

Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Muharrem Nitaj, i cili është njëri nga deputetët që ka marrë më së shumti pjesë në seanca (100% prejse ka marrë mandatin), ka thënë për “Zërin” që problemi i mungesës së deputetëve në seanca qëndron te deputetët që mbajnë dy e më shumë vende pune.

“Ka një numër të deputetëve në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Kosovës që i kanë nga disa vende të punës, ata kanë deklaruar punë të tjera si punë sekondare, ndërkohë që edhe ato punë të tjera i mbajnë me orar të plotë dhe ata e kanë të pamundur që të jenë të efektshëm edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në vende të tjera të punës”, ka thënë Nitaj në një prononcim për "Zërin".

Sipas tij përpos kësaj, në këtë legjislaturë është krijuar edhe një praktikë e re, që ka të bëjë me disa deputetë të Kuvendit që vijnë në seanca vetëm për t’u nënshkruar dhe pastaj e braktisin atë. /Zëri/