Ministria e Shëndetësisë 'ua dogji' katër paga specializantëve

Aktuale May 18, 2018 - 07:54
Lexo detajet

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të mos i paguajë asnjë cent për katër muaj pune specializantët e shëndetësisë, përderisa paga do të marrin vetëm prej muajit aktual (maj), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se nuk mund të bëjnë pagesa retroaktive prej janarit e deri në prill 2018 me arsyetimin se specializantët e kategorisë C, të cilët e kanë marrë specializimin nga institucionet private shëndetësore, nuk kanë pasur kontrata të nënshkruara, prandaj nuk mund të paguhen në mënyrë retroaktive.

LEXO EDHE: Emergjenca 'vërshohet' nga rastet joemergjente

Megjithatë, dikasteri qeveritar që drejtohet nga Uran Ismaili nuk po i paguan me rregull as specializantët e performancës, të cilët kanë kontrata valide të nënshkruara.

Specializantët e performancës, siç i kanë konfirmuar gazetës “Zëri”, deri më tani e kanë marrë pagën e shkurtit të këtij viti, ndonëse pas dy javëve do të duhej t’i merrnin edhe pagat e muajit maj, me ç’rast borxhi i Ministrisë ndaj tyre do të arrijë në tri paga.

Punuan katër muaj, por nuk do të paguhen

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm Naim Bardiqi e ka konfirmuar për “Zërin” se Ministria e Shëndetësisë nuk do t’u japë paga specializantëve për muajt e kaluar. Ndonëse gjatë kësaj kohe specializantët kanë kryer punën e tyre, mirëpo nuk janë paguar, sipas Bardiqit ministria nuk u ka borxh asgjë atyre.

“Një akt ligjor i miratuar nuk mund të jetë i vlefshëm ‘retrograd’ (restitutio ad integrum) dhe t’u mundësohet rimbursimi i mbështetjes financiare specializantëve për muajt paraprakë. Ligjërisht Ministria e Shëndetësisë nuk u ka borxh këtyre specializantëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, specializantët e kësaj kategorie do të paguhen pasi të lidhin kontratën.

“Specializantët do të lidhin anekskontratë, e cila do jetë valide ekskluzivisht nga data e hyrjes në fuqi të plotësim-ndryshimit të udhëzimit administrativ respektiv. Kjo informatë u është dhënë edhe specializantëve në takimin e fundit në MSH”, ka thënë Bardiqi.

Ish-ministri Rrahmani: I padrejtë borxhi ndaj specializantëve

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani e ka konsideruar si të padrejtë nëse Ministria u mbetet borxh specializantëve.

“Meqenëse ka filluar pagesa për ato kategori, nga ana jonë është e padrejtë ndërprerja ose mbetja borxh për disa muaj për të ashtuquajturën Kategoria B dhe C, atëherë Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur asnjë obligim ligjor për mbulimin e pagesave të tyre. Thjesht ka pasuar një presion, një ndërhyrje të politikës, ka pasur një mirëkuptim edhe nga unë dhe kemi filluar pagesën e “pagave”, që në fakt janë subvencione për këto kategori”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka justifikime për mospagesën e specializantëve.

“Ministria e Shëndetësisë edhe këtë vit ka futur në paga të gjithë specializantët që ne i kemi pranuar me konkurs për specializim vullnetar, prandaj nuk ka asnjë justifikim për mospagesën e atyre më herët. Nëse kjo ndodh është dëshmi që po merren vendime pa planifikuar pasojat. Po ju them me sinqeritet se nuk jam i sigurt se po bëjmë mirë në kontestin kohor afatgjatë me eliminimin e specializimeve vullnetare, sepse po dëmtojmë konkurrencën dhe kualitetitin. Po dëshmojmë se mendjen e kemi vetëm te vota”, ka thënë ai.

Rrahmani më tej ka thënë se specializimi nuk duhet t’i mohohet askujt.

“Specializimi në fushën e caktuar nuk do të duhej t’i mohohej askujt. Por shteti, në këtë rast MSH-ja, nuk ka mundësi të ndajë specializime sipas vullnetit të të gjithëve, prandaj edhe në politikat që edhe më herët janë bërë, duke përfshirë edhe mua, janë paraparë mundësitë e specializimit vullnetar (vollonter) pa financim nga shteti, derisa specializimet e financuara nga shteti do të duhet të bëheshin duke u bazuar në planifikimin e nevojave të sistemit shëndetësor”, ka thënë ai.

Edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se do të insistojnë që specializantët të marrin paga.

“Para një kohe është marrë një vendim nga ministri i Shëndetësisë dhe kryeministri që të paguhen edhe specializantët. Njëkohësisht ata edhe e kryejnë punën”, ka thënë ajo.