Emergjenca 'vërshohet' nga rastet joemergjente

Aktuale May 18, 2018 - 07:52
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, ka shprehur shqetësimin se tij se 80 për qind e rasteve që trajtohen në këtë klinikë janë raste joemergjente dhe si të tilla nuk do të duhej të referoheshin për në Emergjencë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Klinika Emergjente, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), “është e vërshuar” me raste joemergjente.

Kjo për faktin se shumë pacientë po referohen për këtë klinikë nga ana e qendrave të mjekësisë familjare pa qenë raste emergjente.

LEXO EDHE: Kosova me fusnotë në Deklaratën për të Ardhmen Evropiane

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, ka shprehur shqetësimin se tij se 80 për qind e rasteve që trajtohen në këtë klinikë janë raste joemergjente dhe si të tilla nuk do të duhej të referoheshin për në Emergjencë.

“Zakonisht i kemi pasur 120 deri në 160 pacientë në klinikë, ndërsa tani kanë arritur në 240. Prej të gjitha këtyre rasteve që i kemi gjatë ditës, rreth 80 për qind nuk janë raste emergjente. Po ballafaqohemi me mungesë të sistemit të referimit në nivel vendi dhe një gjë e tillë duhet të rregullohet”, ka thënë Lenjani për “Zërin”.

Sipas tij, mjekët në Klinikën Emergjente po merren me pacientë të të gjitha klinikave.

“Ne merremi me sëmundje kronike dhe me sëmundje malinje. Ne merremi me rastet e të gjitha klinikave. Kjo është ngarkesë shumë e madhe. Kemi kërkuar që brenda klinikave të hapen kujdeset intensive”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse shumë nga rastet nuk duhet të trajtoheshin në këtë klinikë, ata janë të detyruar t’i ofrojnë kujdes emergjent pacientëve.

“Në bazë të Ligjit për Kujdesin Emergjent jemi të detyruar të ofrojmë kujdes emergjent mjekësor, mirëpo të tilla janë kapacitetet, pavarësisht kësaj Klinika Emergjente bën maksimumin. Sot i kam pasur tri raste të dërguara nga Onkologjia. Kjo është mbushje e kapaciteteve”, ka thënë ai.

Referimet nga spitalet rajonale

Mungesa e barnave, e aparaturave dhe e stafit mjekësor janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen spitalet e përgjithshme në vend.

Zyrtarë për informim në Spitalin e Prizrenit kanë treguar për “Zërin” se kanë nevojë për aparatura të reja. Kërkesa të njëjta ka edhe Spitali i Pejës, edhe i Ferizajt.

Anëtari i Bordit i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka treguar për “Zërin” se në disa spitale të Kosovës nuk ka rëntgen e CT, derisa në krejt Kosovën është vetëm një rezonancë magnetike.

Mungesa e stafit mjekësor dhe e aparaturave në shumë raste shtyn mjekët e spitaleve të përgjithshme t’i referojnë pacientët për në Klinikën Emergjente në QKUK dhe për në klinikat tjera.

Meqenëse referimet e pacientëve për në QKUK edhe në rastet joemergjente bëhen me udhëzim të mjekëve, mjekët në Qendrën Klinike Universitare nuk mund t’i refuzojnë këto raste.

E për këtë referim zyrtarë për informim nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se referimi prej nivelit parësor ose dytësor për në tretësor - QKUK është i rregulluar me Ligjin e Shëndetësisë, Neni 24.

Vitia: Spitali i Prishtinës do të jetë shumëfunksional

Mungesa e Spitalit të Prishtinës detyron qendrat kryesore të mjekësisë familjare të referojnë shumë raste për në QKUK.

Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë dhe i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se kanë bërë trajnime të stafit në QKMF në mënyrë që referimi i pacientëve të ulet.

“Lidhur me këtë shqetësim dhe me këto pretendime ne kemi pasur takime edhe më herët me dr.Basri Lenjanin. Pas takimit dhe prezantimit të shifrave të referimit nga QKMF-ja Prishtinë, është parë se niveli i referimit nga QKMF-ja është brenda të gjitha standardeve të përcaktuara edhe nga OBSH-ja. Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale në koordinim me QKMF-në, por edhe me QKUK-në kanë bërë disa trajnime të stafit në mënyrë që ky referim të ulet akoma dhe në fakt me këto masa edhe është ulur”, ka thënë ai.

 Sipas tij, QKMF-të kanë mungesa të stafit, por edhe atëherë kur do të rritet stafi i personelit mjekësor do të ketë referime të pacientëve për në QKUK.

“Edhe nëse rritet stafi shëndetësor çdoherë do të ketë referime në nivelet më të larta. Nëse flasim për cilësinë e referimeve në shumë raste ne si Drejtori, por edhe si QKMF kemi shprehur gatishmëri të ulemi me nivelet përkatëse në QKUK për të diskutuar se si të ulet akoma niveli i referimeve. Por duhet edhe një mekanizëm nga vetë QKUK-ja që rastet të cilat janë pa udhëzime nga qendrat e mjekësisë familjare të kthehen dhe të informohen se duhet shkuar përmes QMF-ve atëherë kur nuk janë raste emergjente”, ka thënë ai.

Vitia ka folur edhe për mungesën e një spitali të Prishtinës, i cili do t’i trajtonte rastet të cilat tashmë referohen për në Klinikën Emergjente dhe për në klinikat tjera.

Ai ka thënë se janë duke punuar që spitali të mos mbetet vetëm si objekt, por që të bëhet funksional.

“Pa kaluar Ligji për Prishtinën, Komuna e Prishtinës nuk mundet të menaxhojë me nivelin sekondar - pra me spitalin. Është arritur një pajtueshmëri që në bashkëpunim edhe me të gjithë pjesëmarrësit tjerë të fillohet së pari me grupe punuese gjithëpërfshirëse ku do te shqyrtohen të gjitha mundësitë që ky spital të mos përfundojë vetëm si një objekt i pashfrytëzuar në mënyrë racionale, por një spital funksional ku do të jepen shërbime shëndetësore, cilësore për qytetarët”, ka thënë ai.

Edhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se nëse Prishtina do të kishte spital rastet do të ishin përzgjedhur dhe nuk do të referoheshin të gjithë për në Emergjencë. “Po ta kishim spitalin e Prishtinës me automatizëm do të selektoheshin rastet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, gjatë ditës pacientët mund të vizitohen edhe në ordinancat specialistike.