Paralajmërohen kompromise të reja me Serbinë

Aktuale May 18, 2018 - 07:44
Lexo detajet

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në Sofje të Bullgarisë se nga përfundimi i negociatave me Serbinë asnjëra palë nuk fiton qind për qind dhe se duhet të ketë akomodim më afirmativ për serbët. Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile druajnë se pala kosovare do të bëjë kompromise të reja në raport me Serbinë, duke i dhënë Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kompetenca ekzekutive, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do t’u ofrojë akomodim më afirmativ serbëve të Republikës së Kosovës.

Një paralajmërim të tillë monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë - Serbi e shohin të ndërlidhur kryekëput me çështjen e asociacionit.

Sipas tyre, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive, ndonëse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shkruan më tutje "Zëri". 

Se Serbia kërkon kompromis në interes të serbëve të Kosovës e ka pohuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Por një gjë të tillë e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e opozitës kosovare, të cilët thonë se askush nuk guxon të bëjë kompromise në dëm të Kosovës.

I pari i shtetit Hashim Thaçi ka deklaruar se nga përfundimi i negociatave me Serbinë përfitojnë të dyja palët sado që asnjëra 100 për qind.

Thaçi: Asnjëra palë s’fiton 100 për qind nga dialogu

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit në Sofje me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësuesen e dialogut Frederika Mogerinin deklaroi se faza finale e negociatave do të fillojë shumë shpejt. Megjithatë, i pari i shtetit tha se asnjëra palë nuk do të dalë fituese 100 për qind nga ky proces. Madje ai bëri të ditur se serbët e Kosovës do të kenë një akomodim më afirmativ pas arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

“Nuk do të cenohet njëri ose shteti tjetër, por do të gjenden disa modalitete të bashkëpunimit ndërfqinjësor sipas parimeve të standardeve evropiane të një akomodimi më afirmativ për qytetarët serbë të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi më tej konsideroi se ky proces nuk do të jetë aspak i lehtë, porse siç ai është shprehur, pas zbatimi të marrëveshjes finale të dyja shtetet do të kenë të ardhme më të mirë.

Vuçiq: Jemi në kërkim të kompromisit për serbët e Kosovës

Pavarësisht asaj që ishte raportuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka pranuar tashmë një plan nga ndërkombëtarët, i cili ofron zgjidhjen për Kosovën, ai ka mohuar ta ketë bërë një gjë të tillë.

Megjithatë, Vuçiq ka pohuar se pranuar disa indikacione në këtë drejtim, disa prej të cilave sipas tij janë të pranueshme e disa të tjerë jo.

Teksa ka folur nga Sofja, ai ka bërë të ditur se Serbia kërkon kompromis për interesat e serbëve të Kosovës.

“Jemi në kërkim të një zgjidhjeje - kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Krasniqi: Faza finale e dialogut të jetë transparente

Në anën tjetër Jeta Krasniqi, menaxhere e programit për dialogun Kosovë - Serbi, ka thënë se shtetet e QUINT-it tashmë kanë zhvilluar dy takime për ta hartuar një plan lidhur me atë se si të vazhdohet faza finale e dialogut.

“Vendet e QUINT-it janë takuar në Uashington në dy takimet që ata kanë pasur dhe kanë ardhur në një plan konkret, i cili do t’u dorëzohet qoftë palës kosovare dhe palës së Serbisë dhe se si të lëvizet për arritjen e marrëveshjes, që po pritet të arrihet që në këtë vit dhe pastaj vitin e ardhshëm të shihet zbatimi i saj”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë duke komentuar deklaratat e Thaçit, i cili tha se serbët e Kosovës do të ketë një akomodim më afirmativ, Krasniqi vlerësoi se kjo ka të bëjë kryekëput me çështjen e asociacionit.

“Kur vjen puna tek akomodimet afirmative që presidenti i përmendi, lidhen drejtpërdrejt me parimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe parimet që u negociuan dhe qartazi shihet se aty do të ketë kompetenca ekzekutive të komunitetit serb”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, tashmë në fazën e fundit të dialogut duhet të ketë një transparencë më të madhe.

Mushkolaj: Asociacioni, me kompetenca ekzekutive

Kurse Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, ka konsideruar se Bashkësia e Komunave Serbe do të bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit, me kompetenca ekzekutive. Por sipas tij, një gjë e tillë s’mund të bëhet pa ndryshim të Kushtetutës.

“Po pritet prej Kosovës që ta japë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, sipas Marrëveshjes së Brukselit. Por për t’u realizuar kjo nuk është e mundur që brenda kornizës aktuale kushtetuese dhe legjislative që ky asociacion të akomodohet. Kështu që unë pres të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës dhe Asociacioni të akomodohet brenda Kushtetutës, meqenëse nuk ka zgjidhje tjetër. Asociacioni nuk është OJQ e nëse nuk është i tillë nuk mund të funksionojë brenda kornizës aktuale ligjore dhe kushtetuese”, është shprehur ai.

Andaj edhe po që se ndodh një gjë e tillë, sipas Mushkolajt nuk është aspak e çuditshme.

“Nuk do të befasohesha nëse së shpejti do të nisë iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës, por duke u arsyetuar se po e ndryshojmë Kushtetutën edhe për çështje të tjera, pasi që ekzistojnë edhe çështje të tjera që do të mundë të rregulloheshin me ndryshimet eventuale në Kushtetutë”, ka shtuar ai.

Hoti: Askush s’mund të bëjë kompromise në dëm të Kosovës

Duke iu referuar paralajmërimit të Thaçit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se askush nuk mund të bëjë kompromise të cilat janë të dëmshme për Kosovën.

“Kompromise në dëm të shtetit të Kosovës nuk mund të bëjë askush. Si mund ta dijë Thaçi se asnjëra palë nuk do të fitojë 100 për qind? Çfarë do të thotë 100 për qind në rastin e Kosovës, çfarë në rastin e Serbisë?”, ka deklaruar Hoti në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tij, çdo veprim që del jashtë rezolutave të Kuvendit rezulton me shkelje.

“Kosova ka institucione, e ka Kuvendin si organin më të lartë ligjvënës. Në fuqi janë rezolutat e Kuvendit të vitit 2011 dhe 2012. Kush del jashtë tyre bën shkelje”, ka shtuar Hoti.

Selimi: Qëllimi i Thaçit dhe Vuçiqit, ta ndajnë përgjysmë lirinë e Kosovës

E për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimin procesi i dialogut ka qenë i dizajnuar qysh prej fillimit për interesat e palës serbe.

Sipas Selimit, qëllimi i Thaçit dhe Vuçiqit është që lirinë e Kosovës ta ndajnë përgjysmë, porse një gjë e tillë sipas tij nuk duhet lejuar.

“Gjysmën e lirisë ia kanë lënë Kosovës, gjysmën e lirisë ia kanë deleguar Serbisë. Prandaj ky ka qenë qëllimi edhe i Thaçit, edhe i Vuçiqit, që me Serbinë ta ndajnë Kosovën përgjysmë. Pra, ajo çfarë ka thënë dje Thaçi i bie që në fund të bisedimeve me Serbinë do të mbetemi ‘fifty-fifty’.

Nuk do të duhej që gjysmën e lirisë sonë të na e merrte Serbia, pasi që ne e fituam luftën bashkë me aleatët”, ka shtuar ai.

E sa i përket fazës finale, Selimi ka vlerësuar se ajo nuk duhet të vazhdojë fare.