Lushaku për dialogun: Zgjidhja definitive do të duhej të ishte afërsisht tek njohja

Aktuale May 17, 2018 - 23:06
Detajet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar valë të re nacionalizmi serb, nëse zgjidhja përfundimtare e mosmarrëveshjeve me Kosovën nuk është e pranueshme për shumicën në Serbi.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane, Rheinsche Post, Vuçiq ka theksuar se Serbia është në favor të një kompromisi të drejtë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Për këtë deklaratë të presidentit serb, analistja politike, Jehona Lushaku, e ka lidhur me zgjidhjen finale të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kanë ndodhur shumë takime në mes të liderëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian edhe me Vuçiqin edhe me Thaçin dhe po bëhet pëprpjekje për të gjetur një zgjidhje finale”.

“Zgjidhja finale që Kosova kërkon është njohja dhe besoj se në këtë ka aluduar Vuçiqi dhe njohja, nëse bëhet presion që të merret një njohje nga Serbia, është e vështirë për tu kapërdirë nga qytetarët”.

“Kështu ka menduar ta interpretojë për shkak të mbajtjes së pazarit më lartë dhe për t’u kërcënuar në një formë që forcat nacionaliste do të rriten”.

Lushaku në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se kur përmendet finalja e këtij dialogu, nënkuptohet një zgjidhje përafërsisht tek njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia.

“Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet dhe zgjidhja definitive do të duhej të ishte afërsisht tek njohja për shkak se e bën edhe më të komplikuara të gjitha proceset”.

“Në Bashkim Evropian anëtarësohen vetëm shtetet, nuk anëtarësohen organizata ndëkrombëtare ose subjekte të tjera juridike. Kështu që kërkohet shtetësi e Kosovës për të hyrë në BE dhe në këtë kuptim Serbia është e kushtëzuar që të bëjë nëse jo njohje, një zgjidhje definitive e që më shumë gjasë do të duhej të ishte njohje”.

Lushaku ka thënë po ashtu se “Bashkimi Evropian ka shumë probleme të brendshme”.

“Në kohën e fundit, ka një diskutim nëse vërtetë Bashkimi Evropian duhet të ofrojë zgjerimin me shpejtësi aq të madhe sa është thënë decidivisht në vitin 2025, në Strategjinë e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Edhe Emmanuel Macron ka kontestuar shpejtësinë ose intensitetin e zgjerimit të BE-së jo aq sa perspektivën evropiane”.