Në Prishtinë do të mbahet konferenca rajonale policore

Aktuale May 17, 2018 - 09:20
Lexoni detajet

Përfaqësuesit e policisë së Shqipërisë, Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Sllovenisë dhe Kosovës do të marrin pjesë në një Konferencë Rajonale dy-ditore të Drejtuesve të Policive në Prishtinë që fillon sot më 17 maj 2018.

Kjo konferencë, nikoqir i të cilës është Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Naim Rexha e që është ndihmuar nga Misioni EULEX, ka për qëllim promovimin e më tejshëm të bashkëpunimit rajonal.

“Qëllimi i kësaj konference është që përfaqësuesit e lartë të policive nga rajoni të mblidhen së bashku për t’i shqyrtuar kërcënimet dhe rreziqet strategjike që i paraqet krimi i organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmi, dhe se si mund të ndikojë kjo në paqen dhe stabilitetin rajonal. Përveç kësaj, konferenca synon t’i nxjerrë në pah mundësitë dhe përfitimet të cilat i ofron rritja e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftim.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm Rexha tha se nga konferenca pret që të sjellë përfundime praktike në të ardhmen me partnerët rajonalë për siguri.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i mbështet fuqishëm agjencitë policore të rajonit në qasjen e tyre për të nxitur, zhvilluar më tej dhe për ta rritur bashkëpunimin e tyre për sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve të tyre.