Samiti i Sofjes e kthen Listën Serbe në Qeverinë Haradinaj

Aktuale May 16, 2018 - 15:18
Lexoni më shumë detaje

Lista Serbe, ashtu siç edhe nuk kishte dhënë dorëheqje asnjëherë zyrtarisht nga koalicioni qeverisës, pritet që rikthimin e tyre ta bëjnë pas Samitit të Sofjes BE- Ballkani Perëndimor, që nis nga sot e vazhdon edhe më 17 maj.

Gazeta Express merr vesh nga burimet e saj se partia kryesore serbe në Kosovë do të vazhdojë të jetë edhe më tej pjesë e Qeverisë Haradinaj. 

Kjo pritet të ndodhë “si një gjest i vullnetit të mirë të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq si dëshmi që Serbia është në favor të bashkëpunimit rajonal”.

Ky subjekt politik serb tha se u tërhoq nga koalicioni me Qeverinë e Ramush Haradinajt, pas arrestimit që iu bë shefit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit. 

Gjuriq u vendos nën pranga pasi nuk i respektoi autoritetet e Kosovës, duke hyrë ilegalisht në Mitrovicën e veriut dhe për të mbajtur aty një fjalim.

Arrestimi i tij zgjoi tensione në mes të dyja shteteve. Megjithatë, samiti i shumëpritur i cili po konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm duke qenë i pari që nga Samiti i Selanikut i zhvilluar para plot 15 vitesh, do të rezultojë edhe me kthimin e partisë serbe.

Në samitin e Sofjes në Bullgari më 17 maj, pritet të jenë pjesëmarrës edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, në Këshillin e BE-së është konfirmuar të martën se përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare të BE-së kanë rënë dakord për tekstin e deklaratës së përbashkët që do të miratohet në samitin për Ballkanin perëndimor të enjten në Sofje në Bullgarisë.

Megjithatë, Spanja definitivisht nuk do të marrë pjesë në Samitin e BE-së në Sofje, për shkak të qëndrimit të vendit të tij ndaj Kosovës.