Vllasi: Të mos pranohen kompromise, por të shtrohet çështja e të pagjeturve

Aktuale May 16, 2018 - 14:03
Lexo detajet

Muajt në vijim do të jenë vendimtarë për të ardhmen e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Kjo pasi së shpejti pritet të nisë faza finale e këtij procesi, për të cilin tashmë është thënë se do të përfundojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan "Zëri.info". 

Azem Vllasi, njohës i çështjeve politike, ka konsideruar se në fazën përmbyllëse të dialogut duhet të shtrohet edhe çështja e të pagjeturve. 

“Fazën finale të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës duhet ta dominojë synimi që vjen deri te njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Gjatë bisedave që do të vazhdohen duhet të shtrohet problemi i të pagjeturve si brenga më e madhe e kohës së luftës, duhet të bëhet një ritëm i zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Vllasi më tej ka vlerësuar se pala kosovare duhet të përqendrohet te dokumenti final, që sipas tij duhet të jetë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjen reciproke të tyre, shkruan më tutje "Zëri.info". 

Gjatë bisedës ai ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë gjithë kohës po e përmend një kompromis të mundshëm në këmbim të njohjes, porse një gjë e tillë, siç ai ka deklaruar, nuk duhet të pranohet në asnjë rrethanë.

“Kryetari i Serbisë vazhdimisht e përmend njëfarë kompromisi, që kërkon diçka nga Kosova. Ai duhet të deklarohet çka kërkon, ndërsa pozicioni i Kosovës duhet të jetë i qartë: të gjitha kompromiset e mundshme i kemi bërë me planin e Ahtisaarit dhe vend për kompromise të tjera në dëm të Kosovës nuk ka”, ka theksuar ai. /Zëri/