Hahn: Marrëveshjen e shkruajnë Beogradi dhe Prishtina

Aktuale May 16, 2018 - 13:09
Lexo detajet

Komisioneri për negociata të zgjerimit Johannes Hahn, tha për Tanjug se i takon Beogradit dhe Prishtinës për të përcaktuar përmbajtjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, zgjidhja afatgjate për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nënkupton një zgjidhje realiste të qëndrueshme dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare.

"Hapi tjetër është për të ngritur normalizimin në një nivel të përgjithshëm", thotë Hahn duke shtuar se gjendja e tanishme e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini ka rezultuar në normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve mes të dy palëve.

"Presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandar Vuçiq në korrik të vitit 2017 me anë të dialogut të ndërmjetësuar nga Mogherini kanë filluar punën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve, në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Gjatë viteve, dialogu ka çuar në një normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe hapi tjetër është të sjellë këtë normalizim në një nivel gjithëpërfshirës. I takona palëve të përfshira që me ndihmën e Federica Mogerini të përcaktojnë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje të detyrueshme ligjore", shpjegon Johannes Hahn, transmeton zeri.info

Hahn përsërit se Beogradi dhe Prishtina do të përfitojnë nga një normalizim gjithëpërfshirës i marrëdhënieve dhe se kjo do të jetë me interes jetik për vazhdimin e rrugës së tyre evropiane. Komisioneri për negociatat e zgjerimit me rastin e spekulimeve të mediave se në zgjidhjen e çështjes së Kosovës "në lojë" është dhe shkëmbimi i mundshëm i territorit, ai ka shtuar se nuk beson se palët në dialog duan që strategjia e tyre negociuese të diskutohet përmes mediave, përcjell zeri.info

"Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës i ndërmjetësuar nga BE-ja ka për qëllim të promovojë bashkëpunim të qëndrueshëm në mes të dyja palëve, të ndihmojë për të arritur përparim drejt BE-së dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve. Kjo është ajo që ka rëndësi. Një zgjidhje afatgjatë nënkupton një zgjidhje të qëndrueshme dhe realiste bazuar në të drejtën ndërkombëtare", tha ai, përcjell Zëri.

Johannes Hahn thotë se ajo që BE tani pret nga dialogu është që marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.

"Marrëveshja përcakton se projekt statuti i Asociacionit, respektivisht Bashkësisë së Komunave serbe të hartohet brenda katër muajve nga fillimi i punës për hartimin e draftit. Kryeministri i Kosovës i dha mandatin ekipit menaxhues për të filluar punën në draft më 4 prill, që do të thotë se afati është 4 gushti", tha komisioneri për zgjerim.

Hahn nuk iu përgjigj pyetjes së Tanjugut se çfarë do të ndodhë nëse afati për hartimin e statutit të AKS-së nuk zbatohet edhe në qoftë se një akt i tillë do të ndikojë në të gjithë rrjedhën e dialogut. Në lidhje me samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së që do të mbahet më 17 maj në Sofje, komisioneri Johannes Hahn tha në një intervistë për Tanjug se kjo do të jetë një tjetër arritje historike në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

"Qëllimi i samitit është të sjellë energji të re në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti do të konfirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe do të përqendrohet në programin ndërlidhës. Lidhje më të mira që përfshijnë rrugët, hekurudhat, rrjetet e energjisë, por dhe tregun dixhital, integrimin ekonomik dhe kontaktet ndërpersonale, janë çelësi për realizimin e potencialit të plotë ekonomik të rajonit", thotë Hahn.

Përveç komenteve të shumta se samiti i Sofjes do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë në procesin e zgjerimit, dhe se një projekt-buxheti i ri i BE-së deri më 2027 nuk ofron mjete financiare për anëtarët e rinj eventual, Hahn thotë se "zgjerimi mbetet faktor kyç në marrëdhëniet e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe se kjo është reflektuar në strategjinë e zgjerimit dhe në buxhetin e ri të BE-së.

"Si hap i parë është propozuar konstruktimi i ri i instrumenteve diplomatike, BE-ja fokusohet në prioritetet që përfshijnë Ballkanin Perëndimor dhe rrit fondet për rajonin. Në të njëjtën kohë, neni 19 i buxhetit të propozuar thotë se do të rishikohet buxheti nëse është fjala për pranimin e anëtarëve të rinj. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi kur Kroacia hyri në BE në 2013", përfundoi komisioneri Hahn. /Zeri/