Haradinaj: Ushtria, përmes Kushtetutës ose ligjit

Aktuale May 15, 2018 - 13:16
Lexoni më shumë detaje

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se tashmë ka ardhur koha për të lëvizur në drejtim të bërjes së ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, janë dy rrugë përmes së cilave mund të formohet ushtria. Një gjë e tillë siç ai është shprehur, mund të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, por në rast se kjo nuk mund të realizohet, atëherë transformimi i FSK-së në ushtri mund të bëhet përmes ndryshimeve ligjore, raporton zeri.info. 

“Tani jam thellë i bindur nëse jo përmes bazës kushtetuese, përmes bazës së ndryshimeve ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së. Mendojmë që ka ardhur koha të ecim përpara”, deklaroi ai.

Pas takimit që pati me ambasadorët e akredituar në Kosovë, ku u diskuta për FSK-në, i pari i qeverisë foli edhe për qëndrimin e Listës Serbe sa i përket ushtrisë, me ç’rast tha se marrja e votës së tyre është proces politik.

“FSK-ja pastaj Qeveria, Presidenca, jemi në punë e sipër për ta shpejguar të vërtetën se FSK është forcë multi-etnike, sepse aty shërbejnë serbët- edhe të veriut. Kam pasur nderin të ndaj certifikata për serbët e veriut”, shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit tutje bëri të ditur se çka ka paraqitur para ambasadorëve në takimin që u mbajt gjatë së martës.

“Kam deklaruar që Kosova është e gatshme nga një absorbues i sigurisë të kthehet në një kontribuues të sigurisë, përmes transformimit të FSK-së në ushtri”, theksoi gjatë deklaratës së tij shefi i ekzekutivit.

Sipas tij, me bërjen e ushtrisë nuk humb askush, përkundrazi, siç Haradinaj u shpreh, përfitojnë shumë ata që kanë kontribuar për Kosovën.

“Ushtria e Kosovës është një vlerë e re, është një ushtri vërtet me standarde të NATO-s, NATO e stërvit, ia jep të gjithë ata parametra. Kjo ushtri që vjen vërtet është një kontribut për paqen në rajon”, nënvizoi ai.

E edhe po qe se bëhet ushtria, sipas Haradinajt një gjë e tillë nuk nënkupton marrjen e kompetencave të KFOR-it.

“Ky transformim nuk nënkupton marrje të detyrave të KFOR-it, është mandat i NATO-s, e respektojmë, ushtria ia lehtëson jetën KFOR-it në Kosovë. Ne duhet të veprojnë një ditë, s’mund të presim pa kufi. Kisha nderin në konferencë t’iu shpjegoj që ka ardhur koha të veprojmë. Janë dy mënyra që do të ndodhë transformimi. Ambasada e Amerikës ka ndihmuar në marrëdhëniet ndëretnike në kuadër të FSK-së”, u shpreh ai.

Ndërkohë, për të ardhur deri te formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese (ashtu siç po kërkojnë ndërkombëtarët), pos 2/3 të votave të shumicës shqiptare, nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë. Mirëpo, Lista Serbe deri më tash është deklaruar kundër bërjes së ushtrisë./Zeri