Thaçi: Kemi infrastrukturën arsimore më të mirën në rajon

Aktuale May 15, 2018 - 12:15
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se duhet të punojmë në përmirësimin e cilësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shkenca ka për qëllim jo vetëm avancimin, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social.

Kreu i shtetit në konferencën kombëtare vjetore të shkencës “Java e Shkencës 2018”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT), shtoi se Kosova ka infrastrukturën arsimore më të mirë në rajon.

Por sipas tij, duhet që të investohet në përmirësimin e cilësisë.

“Puna kërkimore dhe shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të dijës dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. Hulumtimet shkencore dhe aktiviteti juaj si kudo në botë ka për qëllim jo vetëm avancimin e të arriturave në lëmi të caktuara, por edhe zhvillimin ekonomik dhe social. Prandaj, të nderuar njerëz të shkencës, shoqëria nga ju pret që ta determinoni jo vetëm të sotmen, por të përcaktoni qartë se ku duhet të jemi pas 2-3 dekadave, në të ardhmen”.

“Mjafton të ecim me trende rajonale, duhet të lëvizim më shpejtë më mirë dhe në mënyrë më cilësore se të tjerët. Ekziston një lidhje mes rritjes ekonomike dhe rritjes së cilësisë në arsim vetëm me këtë vizion mund të fuqizojmë rininë tonë të talentuar”.

“Kemi pasur nevoja bazike të ndërtimit të një infrastrukture arsimore moderne në gjithë vendin dhe pa modesti e them se infrastruktura arsimore në Kosovë është më e mira në rajon. Ne, tashmë i kemi përmbushur këto nevoja dhe është koha që të përqendrohemi më shumë te cilësia, te investimet në kapitalin social, në burimet njerëzore”.

I pari i vendit theksoi se organizimi i Javës së Shkencës vjen në kohën kur Kosova është shteti i pavarur dhe ka vendosur parimet demokratike, prandaj ai ka inkurajuar studiuesit që potenciali i tyre kulturor përbën një mbështetje për të gjitha proceset në të cilat kalon shoqëria.

“Si ngjarje e përditshme Java e Shkencës ka filluar të organizohet në një etapë të re në kohën kur Kosova është shtet i pavarur. Potenciali i juaj njerëzor shkencor e kulturor përbën një mbështetje për të gjitha proceset në të cilat kalon shteti dhe shoqëria jonë”.

“Në këtë Javë të Shkencës presim nga ju të shfaqni ide dhe pikëpamje për të arriturat shkencore dhe synimet për të ardhmen”.

Gjatë kësaj konference do të pasqyrohen të arriturat e Kosovës dhe të rajonit në fushën e shkencës për periudhën njëvjeçare, ndërsa qëllimi i organizmit të saj është shkëmbimi i përvojave të Kosovës me vendet e rajonit në fushën e hulumtimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit social e ekonomik.