Punët 'e padukshme' të zëvendësministrave

Aktuale May 15, 2018 - 08:11
Lexoni më shumë detaje

Rreth 80 zëvendësministra kanë raportuar dje në mëngjes para shefit të Qeverisë, Ramush Haradinaj, për punët që i kanë bërë gjatë gjashtë muajve të fundit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zëvendësministrat raportet e punës i kanë dorëzuar edhe në formë të shkruar, por ato nuk janë bërë publike nga kryeministri.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se zëvendësministrat s’kanë pasur çfarë pune të raportojnë, pasi Kosova është e vogël dhe nuk ka punë për aq shumë zëvendësministra.

LEXO EDHE: 12 milionë euro për 5 kilometra të autorrugës Prishtinë – Mitrovicë

Zëvendësministri i Jashtëm, Gjergj Dedaj, në këtë takim me kryeministrin nuk ka folur shumë për punët që i ka bërë gjatë këtyre gjashtë muajve, por ka shfrytëzuar rastin që t’i ankohet Haradinajt për ministrin e Jashtëm Behgjet Pacollin.

“Jam zëvendësministër që gjashtë muaj. Ka disa rezultate në Ministri falë iniciativës sonë, përvojës sonë bukur të gjatë. Unë personalisht kam vërejtje në komunikimin që kemi në relacion me ministrin e Jashtëm Behgjet Pacollin. Qe gjashtë muaj nuk kemi asnjë komunikim me ministrin”, u shpreh ai.

Ankesat e zëvendësministrave

Ndërsa Xhavit Zariqi, zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ka thënë për “Zërin” se gjatë takimit me kryeministrin u kërkua angazhim i përhershëm i të gjithëve, në mënyrë që pas gjashtë muajve të vihet me rezultate konkrete.

Ai ka bërë të ditur se në takim pati edhe pakënaqësi të zëvendësministrave tjerë rreth bashkëpunimit me ministrat.

“U kërkua që të vazhdohet më punë dhe me angazhim dhe pas gjashtë muajve të raportohet me rezultate konkrete se çka është arritur nga angazhimi i tyre përkatës. Disa zëvendësministra u treguan të kënaqur me bashkëpunimin e ministrave, disa të tjerë jo shumë të kënaqur, por nga kryeministri u kërkua të ketë angazhim të përhershëm të të gjithëve”, tha ai. 

Zariqi ka bërë të ditur se para kryeministrit ka prezantuar punën e tij, kryesisht në projektet që ka qenë i angazhuar në sektorin e energjetikes.

“Unë në MZHE jam i angazhuar në çështjet e bashkëpunimit të projekteve të përbashkëta me komunat, për tregun e përbashkët energjetik me Shqipërinë, për pjesëmarrje nëpër takime në delegacione, isha në Turqi për tryezën e energjisë, në Bullgari për çështjet energjetike në nivelin evropian”, ka sqaruar ai. 

Kurse Vesel Makolli, zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale, ka thënë se kryeministri Haradinaj në takim insistoi që këso raportesh të bëhen çdo gjashtë muaj dhe të shikohet konkretisht puna e secilit.

Ai për “Zërin” ka treguar se çfarë ka raportuar në këtë takim.

“Unë e kam marrë përsipër Departamentin Social dhe të Familjes. Aty ka mjaft punë. Pastaj kam pasur takime dhe konferenca që kam marrë pjesë. Është një punë e frytshme që kam bërë. Kemi mjaft punë dhe probleme, pasi kemi 26 mijë familje nën asistencë dhe thuajse çdo ditë jam marrë me kërkesat e tyre”,  ka thënë ai.

Makolli tha se në një ministri ka aq punë sa s’mund të përfundohen nga një ministër dhe një zëvendësministër.

“Është e pamundur të punojmë të gjithë në mënyrë të barabartë. Varet nga departamentet që kanë punë me shumë e disa më pak, por ka punë për të gjithë. Një zëvendësministër ose dy është e pamundur t’i kryejnë të gjitha punët që ka një ministri”, tha ai.

Haradinaj: Të gjithë zëvendësministrat mund të punojnë shumë

Kryeministri Haradinaj pas takimit me zëvendësministrat tha se nga raportet që ka pranuar ka kuptuar që për këto muaj ka pasur angazhim konkret nga ana e tyre.

“Ju e keni kuptuar përgjegjësinë kushtetuese që keni. Jemi në një periudhë që ka peshë për vendin, ku secili e ka rolin e tij/saj. Ju ftoj të jemi bashkë që të mos dështojmë drejt rrugëtimit tonë, drejt familjes evropiane”, tha Haradinaj.

Më tej kryeministri tha se sundimi i rendit dhe i ligjit, njohjet e reja, gjendja ekonomike, arsimi, shëndetësia, mbrojtja janë disa nga temat e ndjeshme që kërkojnë shumë përkushtim, për të cilat kërkohet edhe angazhimi i gjithsecilit.

“Bëni përpjekje të komunikoni, të jepni nga vetja, që punët e mëdha që i ka vendi të përmbyllen. Duhet ta përmbyllim me sukses këtë vit. Angazhimi juaj na ndihmon shumë”, tha Haradinaj, duke shtuar se nëse shkojmë të gjithë në këtë frymë, jemi të bindur që deri në fund të këtij viti do t’i kemi efektet e angazhimit konkret.

Kërkohet publikimi i raporteve të punës së zëvendësministrave

Rasim Alija, nga Demokracia për Zhvillim (D4D), tha se raportet e zëvendësministrave duhet të bëhen publike në mënyrë që të shihet puna konkrete e secilit.

“Do ishte shumë mirë nëse raportimi i zëvendësministrave do të bëhej publik në formë të shkruar. Kjo do të krijonte një praktikë të mirë të ngritjes së transparencës dhe gjithashtu do të na ndihmonte ta shikojmë punën e tyre. Pos ndonjë rasti të paktë të ndonjë zëvendësministri që mund të ketë udhëhequr ndonjë grup punues, puna e vetme e shumicës së zëvendësministrave është zëvendësimi i ministrave në ndonjë manifestim a ceremoni, ku eprori i tij konsideron që është e parëndësishme”, tha ai.

Edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, tha se deri më tani nuk është raportuar për punë konkrete të zëvendësministrave ndonëse janë të shumtë në numër.

Sipas tij, puna e tyre por edhe e gjithë kabinetit po vazhdon të jetë jotransparente për opinionin publik.

“Nuk kemi shumë të dhëna për punën e tyre, pasi puna e tyre por edhe e kabinetit në përgjithësi është jotransparente për opinionin publik. Zëvendësministrat janë aty për t’u rehatuar dhe jo për të kryer ndonjë punë, aq më tepër kur janë deri në gjashtë zëvendësministra në një”, ka thënë ai.