LAJM I FUNDIT: Dorëhiqet ministri i Brendshëm

Aktuale May 14, 2018 - 21:27
E Fundit

Fatmir Xhafaj është dorëhequr nga posti i ministrit të Brendshëm.

Burime për Politiko.al konfirmojnë se Xhafaj ia ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit e ka lënë pezull.

Të njëjtat burime saktësojnë se kryeministri Rama po përpiqet të shmangë zhurmën e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm deri në përfundim të vizitës së tij në Francë. 

Rama do të takohet nesër në Paris me presidentin Emmanuel Macron, ku do i kërkojë mbështetjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Pas kthimit të kreut të qeverisë nga Franca, pritet të bëhet publik edhe largimi i Xhafajt.

Partia Demokratike publikoi sot një audio-përgjim midis Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe një të dënuari në Itali, i cili sipas demokratëve i kërkonte ndihmë për të dërguar drejt shtetit fqinj një sasi të konsiderueshme kanabisi. 

Gjithashtu, Agroni rezulton i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg  në Itali, por ai vijon të strehohet qetësisht në Shqipëri.