Gecaj: Kjo qeveri ka disa kryeministra- kryeministër është Pacolli, Veseli, Vuçiqi

Aktuale May 14, 2018 - 19:39
Detajet

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka komentuar numrin e madh të zëvendësministrave në qeverinë në krye me Ramush Haradinaj duke e krahasuar me zëvendësministrat në qeverinë e Isa Mustafës.

“Ne kemi pasë marrëveshje të shkruar, çka nuk është në qeverinë e Ramush Haradinajt. Kemi pasë marrëveshje që çdo ministri do të ketë një zëvendësministër të PDK-së, një zëvendësministër të LDK-së dhe partnerët tjerë të koalicionit që kanë qenë minoritetet”.

“Maksimumi që ka arritur Qeveria Haradinaj ka qenë numri prej 47 zëvendësministrave. Kryeministri Mustafa në disa ministri, për shkak që kanë qenë shumë zëvendësministra, nuk ka emëruar fare zëvendësministër edhe pse ka pasë të drejtë me marrëveshje”.

“Besoj që edhe ky numër ka qenë i lartë, por çfarë ka bërë kjo Qeveri që ka rreth 80 zëvendësministra, kjo është e jashtëzakonshme”.

Madje Gecaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se qeveria aktuale nuk udhëhiqet vetëm nga Ramush Haradinaj.

“Ne kemi disa kryeministra, kjo qeveri ka disa kryeministra. Me marrëveshje të nënshkruar e kanë që kryeministri Haradinaj nuk mund të shkarkojë ministrat e AKR-së pa pëlqimin e partisë”.

LEXO EDHE: A i zuri salla të gjithë zëvendësministrat në mbledhjen e sotme? (VIDEO)

“Tek ne nuk ka pasë marrëveshje të tillë, kryeministri Mustafa ka pasë të drejtën kushtetuese që ka çdo kryeministër, që të veprojë si të dojë”.

“Nuk mund të jesh kryeministër i suksesshëm kur ke 9-10 deputetë”.

“Kjo u vërtetua kur ishte shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Haradinaj kërkoi largimin e tij nga detyra sepse nuk kishte guximin ta bëjë shkarkimin sepse nuk është i vetmi kryeministër”.

“Kryeministër është edhe Behgjet Pacolli, Kadri Veseli, madje edhe Aleksandar Vuçiqi që po luan me këtë Qeveri”.

Gecaj që në qeverinë e kaluar ishte zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk duhet të merret me zëvendësministrat.

“Ministrat merren me zëvendësministrat, Haradinaj duhet të merret me ministrat që nuk po i shkojnë as në Qeveri”.

“Ne kemi parë së paku dy herë kërcënimin e Haradinajt për ministrat që nuk shkojnë në parlament. Qeveria po ashtu nuk ka mundur të mbajë takim sepse nuk ka pasë kourum, pra ai duhet të merret më ministra e jo me zëvendësministra”.

Gecaj nga LDK-ja ka thënë se kjo qeveri duhet të japë dorëheqje.

“Në Ministrinë ku kam qenë unë, dy zëvendësministra kanë qenë shumë. Në shumicën e kohës e kemi pasë Listën Serbe të ngrirë”.

“Megjithatë, ne nuk kemi qenë të varur prej asaj, ndërsa këta kanë 52 vota. Në çdo shtet të civilizuar kur humb shumicën parlamentare, jep dorëheqje vetë. Nuk ka nevojë të shkohet me lojë të adoleshentëve në sistemin a mundesh me më rrëzu”.

“Në këtë mandat, LDK çdo metodë e ka të ligjshme, asnjë metodë ose mjet nuk është metodë jo parlamentare”.

“Mandatin e kaluar në qeverinë e Mustafës është përdorur dhuna, gazi lotsjellës, koktej molotovi, të gjitha mjetet e mundshme dhe janë bërë gazi i botës. Ne nuk pengojmë, po e përdorim të drejtën kushtetuese të republikave parlamentare”.

“Momentin që humb shumicën, jep dorëheqje. Qeveria nuk ka numra që të kalojë asgjë, në rast të tillë, duhet të japin dorëheqje”.

Ai ka thënë po ashtu se LDK-ja është gati të shkojë në zgjedhje, qysh nesër.

“LDK është e gatshme të shkojë nesër në zgjedhje. Problemi është kryeneqësia e pozitës, bën çkado që të mbetet në pushtet me çdo kusht edhe nëse nuk i kanë numrat”.

Gecaj ka deklaruar po ashtu se PDK-ja duhet të shkonte dhe të shkojë në opozitë.

“Besoj që ka ardhë kohë që PDK-ja të shkojë në opozitë, është e shëndetshme për PDK-në dhe Kosovën”.

“Unë nuk kam vendosë kurrë vija të kuqe, sepse besoj se nga të gjitha partitë politike në skenë, vetëm LDK-ja është e mirë, të tjerat janë ‘kape njërën, mshoj tjetrës’ ”.