Rrezikohet përmbushja e agjendës legjislative

Aktuale May 14, 2018 - 15:57
Detajet

Nga 126 ligjet e parapara në strategjinë e këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deri më tani 27 prej tyre.

Ky numër i ligjeve të miratuara, nga deputetët po shihet si pasojë e punës së ngadaltë të Kuvendit. Legjislatura e gjashtë e Kosovës, po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit dhe si pasojë po pengohet në vazhdimësi vendimmarrja dhe miratimi i ligjeve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj tha për Radion Evropa e Lirë se ku bëhet fjalë për miratimin e ligjeve, problemi është te vetë deputetët, të cilët, sipas tij, nuk po shprehin interesimin e duhur për punë.

LEXO EDHE: A i zuri salla të gjithë zëvendësministrat në mbledhjen e sotme? (VIDEO)

"Ka deputetë në komisionin tonë që thotë ‘jam deputet i opozitës dhe nuk më intereson që këto ligje të kalojnë’. Nëse ne e shohim punën pozitë – opozitë, e nëse bëhen këto lojëra, ne mundemi çdo herë çështjet e shtetit ose çështjet më primare, sidomos ligjet që kërkojnë edhe partnerë të tjerë, t'i bllokojmë çdo herë", tha Çoçaj.

Megjithatë, Çoçaj mendon se për dallim nga legjislatura e kaluar, kjo e gjashta është me efikase.

"Mund të them se problemi kryesor është puna dhe neglizhenca e komisioneve dhe anëtareve të komisioneve, ku jemi ne vetë deputetët pjesë e tyre. Përndryshe, Kuvendi ka pasur jashtëzakonisht shumë ditë pune duke krahasuar me legjislaturën e kaluar. Kemi pasur seanca shumë", tha Çoçaj.

Nga ana tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se në Kuvendin e Kosovës aktualisht nuk ka debat përmbajtjesor, nuk ka trajtim serioz të projektligjeve dhe nuk ka as miratim të ligjeve.

"Ky koalicion qeverisës krejt përkushtimin e tij e ka në atë se si të mbijetojë. Duke e parë se ata janë një minorancë (pakicë), duke e parë se kanë probleme të brendshme mes raporteve të subjekteve politike që e kanë ndërtuar koalicionin, qoftë me Listën Serbe, apo edhe me partitë të tjera minoritare, ata krejt angazhimin e tyre e kanë për mbijetesë. Nëse angazhimi i tyre është për mbijetesë, gjithë mandati tjetër kushtetues, qoftë i Qeverisë, qoftë i Kuvendit është në margjina. Dhe si rezultat kjo po ndodh, ne në Kuvendin e Kosovës po mbajmë takime shumë rrallë", tha Selmanaj.

Selamanaj tha po ashtu se një problem tjetër është se seancat po mbahen rrallë. Kjo sipas tij, po ndikon që pastaj të grumbullohen ligjet dhe çështjet për shqyrtim, duke krijuar seanca me nga 30 pika në rendin e ditës, të cilat pastaj nuk përmbyllen deri në fund.

"Unë mendoj se nëse mblidhen kaq shumë pika të rendit të ditës për shkak të një opozite të fuqishme si për kërkesa për debat apo interpelanca, atëherë çdo ditë Kuvendi do të duhej të kishte punime të rregullta, derisa ta kapim trendin e miratimit të ligjeve dhe mbikëqyrjes dhe normalisht edhe rolit përfaqësues që ne e kemi”, tha Selmanaj.

Deputetët e Kuvendi të Kosovës thonë se nga ritmi i kësaj punë nuk do të mund të arrihen afatet e parapara për miratimin e ligjeve deri në sezonin e pushimeve.

Një pjesë e deputetëve konsideron se një numër i ligjve të cilat janë duke u miratuar janë duke shkuar pa trajtimin e duhur.

"Asgjë nuk po shkon e planifikuar në trend pozitiv. Gjithçka po shkon në mënyre strike e dhe pa organizim", tha Selmanaj.

Kritika të mëdha në drejtim të deputetëve të Kuvendi të Kosovës, për mosmiratim të ligjeve ka Instituti Demokrati i Kosovës (KDI), që monitoron punë e këtij institucioni.

Artan Murati, nga KDI-ja, tha se si edhe legjislaturat e kaluar edhe kjo legjislaturë, duket që tani se nuk do të arrijë të përmbushë planin e hartuar.

"Ajo çka kemi potencuar vazhdimisht ka qenë një mungesë e vetëdijesimit të deputetëve për punën të cilën ata duhet ta kryejnë. Deputetët ende nuk janë duke i përmbushur funksionet e tyre, ashtu siç do të duhej, pavarësisht se sa bëhet presion nga jashtë, si nga shoqëria civile apo elektorati i tyre. Në masë të madhe këtu fajet i kanë edhe grupet parlamentare", tha Murati.

Janë edhe 36 ligje të cila po shqyrtohen në Kuvend, por në KDI thonë se ato deri në muajin korrik nuk do të mund të miratohen, nëse vazhdohet me këtë ritëm të punës