EULEX-i bashkëpunoi me ‘Peshqit e mëdhenj’

Aktuale May 14, 2018 - 13:43
Lexoni më shumë detaje

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhjetë vjet më parë erdhi në Kosovë me zotimin për kapjen e “Peshqve të mëdhenj” të krimit të organizuar e të korrupsionit.

Megjithatë, tani kur ka mbetur edhe një muaj deri në përfundimin e këtij misioni “Peshqit e mëdhenj” mbesin të paprekur nga drejtësia, shkruan “Zëri”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se EULEX-i në fillim të mandatit bëri premtime për kapjen e “Peshqve të mëdhenj” të korrupsionit e të krimit të organizuar, mirëpo ky misioni ka bashkëpunuar me “Peshqit e mëdhenj”.

LEXO EDHE: Misioni i 'Peshqve të vegjël'

“Kapja e ‘Peshqve të mëdhenj’ si sintagmë bombastike e EULEX-it, në të vërtetë është dëshmuar si një mashtrim tragjik, i cili është keqpërdorur vetëm për të fshehur të kundërtën e saj - bashkëpunimin e EULEX-it me të ashtuquajturit ‘Peshqit e mëdhenj’ në politikë, në ekonomi e në drejtësi. Fatkeqësisht, shembujt që e dëshmojnë këtë nuk janë të paktë”, ka deklaruar Kurteshi për "Zërin".

Sipas tij, puna 10-vjeçare e EULEX-it në Kosovë ka këto rezultate konkrete: “Gjykatë Speciale” dhe rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura gjyqësore në pritje. Madje, sipas Kurteshit edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën jepet vlerësim negativ për EULEX-in.

“Vetë Raporti i Komisionit Evropian, i publikuar në muajin e kaluar, shprehimisht kështu e vlerëson edhe punën e EULEX-it, se: ‘Kosova është në fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional, gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndërhyrjet politike.  Administrata e gjyqësorit mbetet e ngadalshme dhe joefikase, kurse në lidhje me korrupsionin Kosova është në fazë të hershme sa i përket luftimit të korrupsionit dhe se korrupsioni është i përhapur dhe mbetet shqetësim serioz’”, ka përfunduar Kurteshi. /ZËRI/

Image