Sot në Këshillin e Sigurimit diskutohet për Kosovën

Aktuale May 14, 2018 - 08:43
Lexoni më shumë detaje

Në Nju Jork sot do të mbahet takim i rregullt i Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës.

Gjatë këtij takimi do të diskutohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres lidhur me çështjet në Kosovë për periudhën nga 17 janari deri më 15 prill.

Guterres në raportin tre mujor për Kosovën, ka thënë se është i shqetësuar në lidhje me përkeqësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, veçanërisht pas arrestimit të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, përcjell lajmi.net.

Guterres iu ka bërë thirrje palëve që të shmangin deklaratat nxitëse.

“Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës i ndërmjetësuar nga BE-ja është më keq sesa duket. U bëj thirrje të dyja palëve t’i japin një shtysë të re dialogut në mënyrë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë Guterres.

Po ashtu, shefi i OKB-së ka shprehur shqetësim për shkak të ritmit të ngadaltë të hetimit rreth vrasjes e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq duke shtuar se dyshimet ndërsjellin edhe ndjenjën e pasigurisë ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Pjesa tjetër e raportit ka të bëjë me aktivitetet e EULEX-it dhe me Gjykatës Speciale.

Në këtë takim Serbia përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq.