Pacolli e mbështetë idenë për zonë ekonomike amerikane

Aktuale May 13, 2018 - 13:25
E Fundit

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka dalë pro idesë për një zonë të lirë ekonomike për investitorët amerikanë.

Këtë mbështetje Pacolli e ka dhënë pasi një kërkesë të tillë e ka bërë Arian Zeka, Shef i Odës Ekonomike Amerikane.

“Mbështes fuqishëm idenë për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks të veqantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë”, ka thënë Pacolli, në një reagim në Facebook.

LEXO EDHE: Zeka kërkon jetësimin e zonës së veçantë për investimet amerikane

Në Kosovë janë krijuar disa zona të lira ekonomike, si ajo e Mitrovicës, Prizrenit, Drenasit. Etj.

Në këtë situatë, Pacolli ka thënë se ka interesim nga Amerika për investime në Kosovë.

“Ka shumë kompani amerikane në Kosovë dhe shumë më tepër mund të vijnë nëse krijojmë kushte që do ta bënin Kosovën më tërheqëse në rajon dhe në Evropën Lindore. Unë do të shtyj në qeveri këtë ide që së shpejti të marrim vendimin për të krijuar një zonë ekonomike për investitorët amerikanë dhe për të organizuar një Forum Ekonomik-Investimesh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara që do të bashkonte komunitetin e biznesit të dy vendeve tona”, ka shtuar ai.

Interesimin e amerikanëve për të investuar në Kosovë e ka thënë edhe Zeka i Odës Ekonomike Amerikane.

“Investitorët amerikanë janë të interesuar për një zonë të veçantë ekonomike në Kosovë ku do të mund t’i gjenin kushte minimale infrastrukturore për të shtrirë investimin e tyre. Institucionet e Kosovës do të duhet ta mos neglizhojnë këtë zonë dhe të jetësohet”, thotë Zeka.