Haxhiu: Haradinaj s’do ta zvogëlojë numrin e zëvendësministrave

Aktuale May 12, 2018 - 10:46
E Fundit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka konsideruar se Projektligjit për Qeverinë nuk i është dhënë qëllimshëm prioritet nga qeveritë. Por ani pse tash Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e komisionit për hartimin e këtij projektligji, Haxhiu ka thënë se ai nuk do të gjejë zbatim në Qeverinë aktuale, shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Unë kam paraparë një pyetje parlamentare për kryeministrin Haradinaj gjatë seancave të kaluara. Përgjigja e kryeministrit Haradinaj ka qenë që edhe nëse qeveria ‘Haradinaj’ e procedon Projektligjin për Qeverinë në Kuvend, ky projektligj nuk do të vlejë për Qeverinë aktuale. Pra, kjo ka qenë përgjigja e kryeministrit në njërën prej seancave parlamentare, ku lë të nënkuptojë që edhe nëse Projektligji procedohet në Kuvend, nuk do t’i prekë zëvendëskryeministrat apo ministritë që janë aktualisht”, ka theksuar ajo, për “Zërin”.

LEXO EDHE: Reduktimi i ministrive, në Qeverinë e ardhshme

Sipas saj, aktualisht ka shumë ministri, disa prej të cilave janë të panevojshme, shumë ministra dhe shumë zëvendësministra.

“Prandaj konsideroj që një projektligj është i nevojshëm, por nuk besoj fare që Haradinaj me Projektligjin për Qeverinë do ta pakësojë numrin e zëvendësministrave”, ka nënvizuar deputetja e LVV-së.  /ZËRI