Reduktimi i ministrive, në Qeverinë e ardhshme

Aktuale May 12, 2018 - 08:52
Detajet

Qeveria e Kosovës para pak ditësh ka marrë vendim që ta themelojë një komision për hartimin e Projektligjit për Qeverinë, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë datë konkrete se kur do të realizohet një gjë e tillë. Por, Projektligji i cili do ta përcaktojë saktë numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave do të vlejë vetëm për Qeverinë e ardhshme, jo për atë aktuale, shkruan "Zëri".

Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë gazetës “Zëri” se komisioni për hartimin e Projektligjit do të përbëhet nga 14 persona, porse nuk kanë treguar nëse ai do të jetë funksional për Qeverinë e tanishme. Ndërkohë, vetë shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj para pak muajsh teksa pati njoftuar për bërjen e Projektligjit në fjalë pati paralajmëruar se ai do të hynte në fuqi tek në Qeverinë pasuese.

LEXO EDHE: Një njohje për pesë muaj

Një gjë të tillë e pohojnë edhe përfaqësuesit e opozitës, sipas të cilëve sado që është i rëndësishëm ky projektligj nuk do të gjejë zbatim gjatë këtij mandati. Kjo pasi, siç shprehen ata, po të hynte tash në fuqi ky ligj Haradinajt do t’i rrezikohej qeverisja. Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se Ligji për Qeverinë duhet të finalizohet sa më parë në mënyrë që të zvogëlohet numri i ministrave e zëvendësministrave.

LEXO EDHE: 28 milionë euro buxhet, barna s’ka

 Qeveria: 14 persona në komisionin për hartimin e Projektligjit

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se komisioni i cili do ta hartojë Projektligjin për Qeverinë do të jetë i përbërë prej 14 personash, përfaqësues nga institucione të ndryshme të vendit.

“Gjithashtu në vendim parashihet që në pajtim me kryesuesin e Komisionit Besnik Tahirin, koordinator nacional për Reforma Shtetërore, do të ftohen edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike, të organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të tjerë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhënë “Zërit”.

Më tej është bërë e ditur se për këtë çështje do të krijohen grupe punuese dhe do të angazhohen ekspertë nga fusha e së drejtës kushtetuese. Mirëpo, nga Qeveria nuk kanë treguar se kur do të përfundojë ky projektligj e as nëse ky ligj do të jetë funksional edhe për Qeverinë aktuale.

“Afati i përfundimit është konform procedurave, që ndodhin në secilin rast kur bëhet hartimi i projektligjeve. Kryeministri Haradinaj është i përkushtuar për gjithë këtë proces”, potencohet më tutje. Ndërkohë, vetë kryeministri Ramush Haradinaj kohë më parë kishte njoftuar se Ligji për Qeverinë do të përgatitej, porse ai kishte thënë se ky ligj do të vlente vetëm për Qeverinë pasuese, jo për Qeverinë të cilën e drejton vetë Haradinaj.

Rrahmani: Çdo ndryshim në Qeveri e çon drejt rrëzimit pushtetin aktual

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, ka vlerësuar se Projektligji për Qeverinë duhet të miratohet sa më shpejt. Me këtë rast, ai ka thënë se LDK-ja do ta diskutojë këtë çështje dhe do ta marrë qëndrimin më të përshtatshëm për të. “Mendoj që edhe Projektligji për Qeverinë, edhe Projektligji për Kuvendin duhet të miratohen sa më shpejt për të mos lënë hapësirë për keqpërdorim. Këto ligje mendoj që janë të domosdoshme dhe duhen shtyrë përpara”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, ai është shprehur skeptik nëse ky ligj do të vlejë edhe për Qeverinë aktuale, pasi sipas tij, zvogëlimi i numrit të ministrave apo zëvendësministrave rrezikon qeverinë “Haradinaj”.

“Kryeministri Haradinaj ka thënë që ne jemi të gatshëm ta procedojmë Ligjin nëse ky ligj nuk do të ketë implikime në Qeverinë aktuale, sepse konsideroj që çdo shkurtim ose ndryshim në Qeveri çon drejt rrëzimit të saj”, ka potencuar ai.

Haxhiu: Haradinaj s’do ta zvogëlojë numrin e zëvendësministrave

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka konsideruar se Projektligjit për Qeverinë nuk i është dhënë qëllimshëm prioritet nga qeveritë. Por ani pse tash Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e komisionit për hartimin e këtij projektligji, Haxhiu ka thënë se ai nuk do të gjejë zbatim në Qeverinë aktuale.

“Unë kam paraparë një pyetje parlamentare për kryeministrin Haradinaj gjatë seancave të kaluara. Përgjigja e kryeministrit Haradinaj ka qenë që edhe nëse qeveria ‘Haradinaj’ e procedon Projektligjin për Qeverinë në Kuvend, ky projektligj nuk do të vlejë për Qeverinë aktuale. Pra, kjo ka qenë përgjigja e kryeministrit në njërën prej seancave parlamentare, ku lë të nënkuptojë që edhe nëse Projektligji procedohet në Kuvend, nuk do t’i prekë zëvendëskryeministrat apo ministritë që janë aktualisht”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, aktualisht ka shumë ministri, disa prej të cilave janë të panevojshme, shumë ministra dhe shumë zëvendësministra. “Prandaj konsideroj që një projektligj është i nevojshëm, por nuk besoj fare që Haradinaj me Projektligjin për Qeverinë do ta pakësojë numrin e zëvendësministrave”, ka nënvizuar deputetja e LVV-së.  

Rushiti: Ligji për Qeverinë ta përcaktojë numrin e ministrive

Duke folur rreth Projektligjit për Qeverinë Visar Rushiti, nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus”, ka konsideruar se iniciativa për bërjen e tij është mjaft pozitive.

“Themelimi i komisionit për hartimin e Ligjit për Qeverinë vlerësohet pozitivisht dhe kjo nismë nuk do të duhej të mbetej vetëm në letër, por të fillohet me draftimin e Ligjit dhe pastaj miratimin e tij në Qeveri dhe në Kuvend”, ka deklaruar ai.

Por sipas Rushitit, nisma të tilla ka pasur qysh para shumë vitesh, porse ato nuk kanë shkuar deri në fund. “Iniciativa dhe në fakt drafte të Ligjit për Qeverinë janë bërë më 2009-ën dhe 2011-ën, por ka munguar vullneti politik për t’i shtyrë këtë iniciativa përpara. “D+” vlerëson se duhet ta kemi një ligj për Qeverinë, i cili do t’i përcaktonte të paktën këto elemente: numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrave”, ka theksuar ai.

Alija: Mungesa e Ligjit për qeverinë ka dëmtuar buxhetin

Ndërkaq Rasim Alija, hulumtues në organizatën “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka thënë se mungesa e Ligjit për Qeverinë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëme jashtëzakonisht të mëdha.

“Përveç dëmeve në buxhet, si pasojë e mungesës së këtij ligji është rritur në mënyrë drastike numri i ministrive, ministrave e zëvendësministrave dhe emërimeve të tjera politike. Mungesa e Ligjit për Qeverinë është vonuar qëllimisht nga subjektet politike që kanë qeverisur me vendin për ta arsyetuar ndarjen e pushtetit dhe shpërblimet me poste si rezultat i koalicioneve qeverisëse”, është shprehur ai.

Sipas Alijës, është e domosdoshme që ky ligj t’i adresojë të gjitha rekomandimet e shoqërisë civile dhe si i tillë të procedohet më tutje. Ai më tej ka thënë se Ligji në fjalë bën pjesë edhe në kuadër të obligimeve që ka Kosova për zbatim të MSA-së. /ZERI