Një njohje për pesë muaj

Aktuale May 12, 2018 - 08:41
Ja cili shtet e ka njohur Kosovën së fundmi

Gjatë pesë muajve të vitit 2018 Pavarësinë e Kosovës e ka njohur vetëm Barbadosi, teksa diplomacia e Serbisë vazhdimisht po tenton t’i bindë vendet që e kanë njohur Kosovën që t’i tërheqin mbrapsht ato, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjatë ditës së djeshme ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, së bashku me kabinetin e tij ka marrë pjesë në ministerialin e Procesit të Vishegradit (Poloni, Hungari, Republikë Çeke, Sllovaki), plus vendet e Ballkanit Perëndimor, në forumin kushtuar zgjerimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Nga këtu Pacolli ka kërkuar njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga disa nga këto vende që nuk e kanë njohur. Në lidhje me lobimin që po bën Serbia për tërheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se askush nuk mund ta pengojë Kosovën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe se askush nuk mund ta pengojë as procesin e njohjeve.

LEXO EDHE: 28 milionë euro buxhet, barna s’ka

Zyrtarë nga Komisioni për Punë të Jashtme për “Zërin” kanë deklaruar se Kosova është ajo e cila duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Serbisë, ndërsa sipas analistëve politikë Serbia vetëm se është duke e shfrytëzuar dialogun në Bruksel si pretekst për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa me veprime po e bën të kundërtën.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës për “Zërin” kanë deklaruar se askush nuk mund ta pengojë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, si dhe atë të njohjeve të reja.

“Në kapacitet tona si shtet ne jemi duke punuar në të gjitha drejtimet bashkë me miqtë tanë në politikën e jashtme dhe njohjet e reja. Nuk mund ta rrezikojë askush apo ta pengojë Kosovën në rrugën e saj evropiane. Të vetmit përgjegjës për këtë janë populli dhe lidershipi i saj”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga Zyra e Kryeministrit.

Po ashtu zyrtarë nga Qeveria kanë thënë se për këtë qëllim Kosova ka lidhur marrëdhënie me partnerë strategjikë. “Kosova tashmë e ka të përcaktuar politikën e saj të jashtme. Bashkë me miqtë tanë ne jemi përkushtuar që Kosova të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike me të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj dhe me shumë vende që ende nuk e kanë njohur”, thuhet më tutje në përgjigje.

Gjatë ditës së djeshme ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, së bashku me kabinetin e tij ka qëndruar në Greqi, nga ku ka kërkuar njohje të reja të pavarësisë së Kosovës e veçanërisht nga Sllovakia.

“Duke iu referuar fjalimit të sekretarit të Shtetit për Punët Evropiane dhe Marrëdhëniet me Jashtë Ivan Korçok, ministri Pacolli i bëri thirrje publike atij që Sllovakia ta njohë Kosovën sa më shpejt si kontribut për bashkëpunimin evropian”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Këtë gjë për “Zërin” e ka konfirmuar edhe zëdhënësi për medie nga kjo ministri Sami Kastrati, i cili ka thënë se Pacolli së bashku me kabinetin e tij tani janë duke qëndruar në Greqi.

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Zafir Berisha, për “Zërin” ka deklaruar se Serbia po vazhdon të ketë një qasje ndryshe nga deklaratat që i jep për Kosovën. Ai po ashtu ka thënë që Kosova duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë.

“Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Punë të Jashtme është kundërshtuar platforma, një letër e cila tentohet t’u jepet deputetëve dhe opinionit për gjoja Marrëveshjen përfundimtare për Normalizim të Marrëdhënieve me Serbinë, me një Serbi e cila ka logjikë të Millosheviqit duhet të sillemi më ndryshe, të sillemi si shtet, ndryshe me këto veprime të Serbisë edhe pavarësisht tentimeve për t’i tërhequr njohjet prej ndërkombëtarëve, domethënë ndikon që deklarimet të kthehen në veprime. Kështu që unë mendoj se qasja e shtetit të Kosovës në raport me Serbinë duhet të ndryshohet për 360 shkallë”, ka thënë Berisha.

Analisti i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se Serbia po përfiton nga dialogu me Kosovën në Bruksel për kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ky shtet ndaj Kosovës po sillet në mënyrën më jodemokratike.

“Serbia në dialog në Bruksel po përfiton atje duke u konfrontuar edhe me Brukselin, me hapat e saj drejt integrimeve dhe kandidaturën për kandidat të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ka deklaruar se do të bisedojë me Kosovën, do t’i zgjidhë problemet, do t’i stabilizojë marrëdhëniet, ndërsa ajo më të madhe në mënyrën më të egër, më jodemokratike dhe më jocivilizuese e aq më pak në frymën e vlerave evropianeve”, ka thënë Baraliu. /ZERI